28 Nëntori u shënua me aktivitete të ndryshme në shkollat fillore të vendit
28 Nëntori u shënua me aktivitete të ndryshme në shkollat fillore të vendit

Gazetar: Avni Tahiri
Kuq e zi, ishin ngjyrat që mbizotëronin sot në veshjet e nxënësve të Shkollës Fillore “Ismail Qemali”, shkruan Alsat.
Para shfaqjes, nxënësit bënin përgatitjet e fundit që do të prezantonin para prindërve dhe mësuesve të tyre.
“Shkruajmë për 28 Nëntorin dhe për Ismail Qemalin që ngriti në Vlorë flamurin kombëtarë të Shqipërisë. Qenke vesh kuq e zi sot. Po. Me 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali, ngriti flamurin kombëtar në Vlorë. Jemi duke u përgatitur për festen e 28 Nëntorit që ta festojmë”, tha një nxënës.
E përderisa këto nxënës përgatiteshin brenda klasës, ne korridorin e shkollës bëheshin përgatitjet e fundit të valleve dhe recitimeve tjera.
“Sot në Shkollën Ismail Qemali, kemi patronatin dhe kemi festë, për ne është kënaqësi dhe privilegj që filluam ta festojmë zyrtarisht që katër vite me emrin zyrtar Ismail Qemali”, tha Teuta Imeri – Drejtoreshë e Shkollës Fillore “Ismail Qemali” në Çair.
Shkollën fillore Ismail Qemali e vizitoi edhe zëvendës kryeministri i parë, Izet Mexhiti.
“..nëse atëherë në kohët e rënda ka qenë pushka e diplomacia, sot ne mendojmë që me qeverisje të mirë të vazhdojmë punën patriotike të Ismail Qemalit, të Skënder Beut, Adem Jasharit dhe figurave të mëdha”, u shpreh Izet Mexhiti – zëvendës kryeministri i parë.
Përveç se në Shkollën Ismail Qemali në Çair, organizime për festën e 28 nëntorit kishte edhe në shumë shkolla tjera të qyteteve tjera të vendit./ Alsat.mk