Paris Sen Zhermenit pas fitores 2-0 ndaj Lorientit, sërisht u ndal në vendin e dytë të renditjes. Parizienët ndryshuan rezultatin në fillim të pjesës së dytë, kur mbrojtësi i miqve, Gravillon shkaktoi një penallti dhe u ndëshkua me karton të kuq. Nga 11 metra, nuk gabon Kilian Mbape, ndërsa më pas ishte sulmuesi Italian Moise Kin, që shënoi edhe golin e dytë, duke vulosur fitoren e PSZH-së që ndërron kështu vendin me Lionin.
Këta të fundit nuk shkuan dot më shumë se një barazim 2-2 përballë Brestit, pasi ndonëse ishin të avantazh të një goli dhe me një lojtar më shumë në fushë, shkaktuan një penallti në shtesë dhe panë t’u rrëshqasë fitorja nga duart. Zhgënjen edhe Marseija që u mposht 2-1 nga Reni në transfertë. Skuadra e drejtuar nga portugezi Villash-Boash kaloi e para në avantazh me anë të Gueje, por Reni shënoi dy herë në pjesën e dytë dhe mori tre pikë më se të merituara.
Lilla bëri detyrën në transfertën ndaj Dizhonit, ku fitoi me rezultatin 0-2 dhe ruajti kështu kryesimin me 32 pikë, ndërsa Monako u befasua në shtëpi nga Lensi, që arriti të fitojë me rezultatin e pastër 0-3.








