31 vite pavarësi – Tranzicioni i Maqedonisë së Veriut

31 vite pavarësi - Tranzicioni i Maqedonisë së Veriut

Gazetar: Lluka Andreev

“Më lejoni t’u uroj, Maqedonia është e lirë, sovrane dhe e pavarur”, kishte thënë Kiro Gligorov – ish president.

95 për qind e atyre që dolën për të votuar në referendumin e mbajtur më 8 shtator 1991 vendosën që Maqedonia të largohej nga Republika Socialiste Federative e atëhershme e Jugosllavisë dhe të ndërtonte shtetësinë e saj në mënyrë të pavarur dhe në demokraci. Shumica dërrmuese e qytetarëve janë përgjigjur me “po” në pyetjen: “A jeni për një shtet sovran dhe të pavarur të Maqedonisë, me të drejtë për të hyrë në një bashkim të ardhshëm të shteteve sovrane të Jugosllavisë?” 31 vjet më vonë, shteti, tani Republika e Maqedonisë së Veriut ka hyrë në aleanca, por në përputhje me objektivat strategjike është anëtare e Aleancës së NATO-s dhe është një hap më afër integrimit evropian.

Por në tre dekadat e fundit, një numër i madh sfidash kanë penguar arritjen e qëllimeve të përcaktuara. Në valën e demokracisë, duke u larguar nga sistemi socialist, vendi u përball me një tranzicion të dhimbshëm ekonomik dhe një sërë sfidash në sundimin e së drejtës në vitet 1990, ndërkohë u bënë përpjekje të vazhdueshme për etablim në plan ndërkombëtar.

Sfida më e madhe, në aspektin e sigurisë, erdhi në fillim të mijëvjeçarit të ri. Konflikti ushtarak i vitit 2001 rezultoi me viktima, por edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila solli paqen dhe avancoi të drejtat e bashkësive etnike në vend përmes ndryshimeve në Kushtetutë.

Pas disa vitesh rimëkëmbjeje ekonomike, por edhe testim i kapaciteteve demokratike, hyrja e dhunshme në Kuvend më 27 prill la një njollë të zezë, ndërsa realizimi i synimeve strategjike u pasua me ndryshime të reja kushtetuese dhe “momente historike”. Marrëveshja e Prespës me Greqinë solli ndryshimin e emrit kushtetues, si dhe anëtarësimin në Aleancë. Uvertura e dorës së shtrirë me Athinën ishte Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë, e cila është ende përballë sfidave, por nga përmbushja e së cilës varet rruga drejt anëtarësimit në Union. Sivjet, pas 17 vitesh pritje, vendi hapi procesin e negociatave, me pritshmërinë e hapjes së kapitujve të negociatave, që varen nga ndryshimet e reja kushtetuese.

Ndryshe, pas shpërthimit të pandemisë Covid-19, e cila i dha një goditje të rëndë sistemit shëndetësor dhe ekonomik, vendi ndodhet tashmë në prag të një krize të re. Kësaj radhe mungesë të energjisë, në një kohë kur përsëri lufta po zhvillohet në tokën e Evropës. Pavarësisht rritjes së pagave në disa sektorë, uljes së papunësisë dhe përmirësimit të standardit të jetesës për dallim prej para 31 vitesh, inflacioni aktual, indirekt i shkaktuar nga agresioni rus ndaj Ukrainës, është një pengesë e re për rritjen dhe zhvillimin.

Por, për arsye ekonomike apo të tjera, për dallim nga viti 1991 kur u festua pavarësia dhe mbretëroi entuziazmi, pas tre dekadash Maqedonia është më e vogël për dyqind mijë banorë, për shkak të uljes së natalitetit dhe emigrimit jashtë vendit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button