50 produkte ushqimore, me çmime më të lira
50 produkte ushqimore, me çmime më të lira

Gazetar: Adnan Qaili
Çmimet e mbi 50 produkteve ushqimore bazë, nga e mërkura e ardhshme do të ulen me të paktën 10% dhe do të ngrijnë, konfirmon Ministria e Ekonomisë. Vendimi do të merret të martën për artikujt, që tatohen me 5% TVSH. Por, çmimet referente të ushqimoreve do të merret në një nga datat e korrikut, kur çmimet ishin gjithashtu të larta për qytetarët, pas shkrirjes së çmimeve nga vendimi i njëjtë paraprak. Qeveria vendosi që në këtë periudhë produktet të mos shiten në aksion, përpos atyre me afat të shkurtër skadence, me qëllim që të mos manipulohen çmimet.
“Faza e parë do të jetë industria ushqimore ku janë vërejtur rritje jo logjike të çmimeve, nëse vërtetohet cenimi i çmimeve edhe në sektorët tjerë në fazën e dytë do të pasojnë ngrirje të reja. Deri në fund të javës tjetër do të kemi edhe zgjidhjen e re ligjore për praktikat të padrejta tregtare, ku do të shfuqizohen pothuajse mbi 20% të pagesave të caktuara në shtet nga zinxhiri i tregtisë, duke filluar nga prodhuesit deri tek shitja me pakicë, të cilat në mënyrë plotësuese do të ndikojnë në uljen e çmimeve,” tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Sot Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pas takimit me përfaqësuesit e tetë zinxhirëve të marketeve, bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme Ministria do të bëjë ndryshime dhe plotësime në Ligjin për Inspektoratin Shtetëror të Tregut me të cilin do të shtohen kompetencat e inspektorëve në mënyrë që ata menjëherë të veprojnë dhe ta mbyllin objektin pa kaluar disa procedurat gjyqësore.
“Edhe me ligjet aktuale parashikohen gjoba ku përfshihet ndalesa për kryerje të veprimtarisë dhe konfiskim të mallit. Por, do të doja të presim vendimin qeveritar të së martës ku do të definohen saktë gjërat që u theksuan më parë edhe nga Ministri se këto vendime u mirëpriten nga tregtarët, të cilët do të bisedojnë edhe me furnitorët dhe të gjithë së bashku duhet t’i ulin çmimet që janë ngritur shumë muajt e fundit,” deklaroi Goran Trajkovski, Drejtor i Inspektoratit të tregut.
Kjo nënkupton që buka e bardhë që ishte me çmim të ngrirë 33 denarë dhe tani diku ka arritur edhe 40 denarë, do të lirohet për 4 denarë. Kosi që nga 500g është ulur në 400g dhe kushton 35-37 denarë do të lirohen afërsisht nga 3 denarë. Djathi dhe kaçkavalli që kushtojnë nga 500-700 denarë do lirohen së paku 50 denarë. Tregtarët me shumicë dhe pakicë do të lejohen të ulin çmimet vetëm për produktet që skadojnë. Për shembull, fruta perimet që duket se po vyshken mund të shiten në ofertë ose edhe artikujt e paketuar që janë para afatit të skaduar. Këto vendime do të jenë në fuqi deri më 30 nëntor. /alsat.mk