64 kilometra not në liqenin e Ohrit

64 kilometra not në liqenin e Ohrit

Gazetar: Miki Trajkovski

Pas një dite dhe një nate të tërë të kaluar në liqen, duke notuar në relacionin Ohër-Strugë-Shën Naum-Ohër, në gjatësi prej 64 kilometrash, 16 vjeçari Marko Pejçinoski ka mbërritur në portin e qytetit në Ohër. Ai është pritur nga qytetarë të shumtë. Pas 21 orë e 40 minutash në ujë të pamundurën e ka bërë të mundur, ndërsa ngjarjen ia ka kushtuar nënës së tij, e cila ka ndërruar jetë pak kohë më parë.

“Ndihem mirë por edhe i lodhur”, tha Marko Pejçinoski.

Cili është plani i radhës, çfarë po planifikoni më pas?

“Do të shohim”, u shpreh Marko.

Cila pjesë ishte më e vështira, pasi keni notuar gjithë natën?

“Ishin të gjithë po aq të vështira”, shtoi ai.

Nga fillimi deri në fund, Marko u ndoq nga tetë persona.

“Isha me të gjatë gjithë kohës drejt arritjes së tij, e cila u realizua dhe Marko dëshmoi se gjithçka është e mundur. Ai ka shumë motivim dhe kur e vendos mendjen për diçka, ai e realizon dëshirën e tij. Kjo ishte dëshmi për të gjithë ne që nëse duam diçka, nëse kemi motiv, mund ta realizojmë”, u shpreh Martina Baleska- familjare e Markos.

Arritja e Markos, i cili është fëmijë me sëmundje të rrallë, është edhe më e madhe pasi për shkak të problemeve shëndetësore, ai noton vetëm me duar.

“Ai në përgjithësi punon 99% vetëm me duart e tij, këmbët vetëm i mban. Duhen më shumë se përpjekje. Kjo është diçka e pazakontë. Kishim problem të vogël, kur në shtegun ku duhej të kalonte, u futëm në rrymë të fortë, e cila ishte e kundërt me drejtimin e lëvizjes. Ishin dy-tre orë ku pavarësisht se Marko punonte vazhdimisht, shpejtësia ishte shumë më e ngadalshme”, deklaroi Mile Jovanovski– vëzhgues.

Me këtë Marko përfundon në tërësi veprën e tij, dhjetë note të distancave të ndryshme në liqenin e Ohrit, me një gjatësi prej 250 kilometra, të cilat i realizoi gjatë verës, gjë që askush nuk e ka bërë deri më tani. Për këtë do të njoftohet dhe Asociacioni Botëror i notit./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button