96 orë pune në javë për një infermiere, punonjësit e larguar nga Klinika e Fëmijëve kërkojnë zgjidhje urgjente

Gazetare: Melihate Rustemi

Ish të punësuarit në Klinikën e Fëmijëve sërish protestuan para Ministrisë së Financave duke kërkuar nga institucionet kompetente që të gjejnë zgjidhje për statusin e tyre të pazgjidhur të punës. Ata akuzuan institucionet se po luajnë me fatin e tyre. Ish punonjësi, Sedat Bushi, tha se personeli ekzistues në Klinikën e Fëmijëve po punon me orare jashtëzakonisht të ngarkuara për shkak të mungesës së stafit.

“Kemi informacione se një infermiere punon 96 orë në afat prej një javësh. Kjo nuk ndodhë askund. Sipas të gjitha ligjeve dhe rregulloreve, duhet të jenë në punë 40 orë në javë, ndërkohë që punojnë 96 orë. Punojnë 16 orë, shkojnë në shtëpi dhe flenë, kthehen sërish me 16 orë punë. Madje nuk e di se çfarë punon, a është pastruese, është administratë ose infermiere. Po thonë se kanë dhënë pëlqime për mjekët. Po. Mirëpo, mjekët do të punojnë vetë, por nëse nuk ka infermierë dhe administratorë, sa fëmijë do të arrijnë t’i kontrollojnë gjatë ditës?”, tha Sedat Bushi, ish i punësuar në Klinikën e Fëmijëve.

Ish punonjësja Flora Gashi, akuzoi institucionet se po i shndërrojnë 50 punëtorët në viktima të mosmarrëveshjeve dhe përplasjeve politike. Ajo tha se protestuesit nuk kërkojnë privilegje, por të drejtat që i kanë fituar me punë, duke bërë thirrje që problemi të mos politizohet apo etnizohet.

“Shëndeti nuk ka kombësi. Sëmundja nuk pyet për gjuhë. Dhimbja nuk pyet për parti politike. Kur një fëmijë ka nevojë për ndihmë, askush nuk pyet se cilit komb i takon. Prandaj mos u mundoni ta ktheni këtë problem në çështje politike apo kombëtare. Sistemi shëndetësor nuk mbahet gjallë me konferenca për shtyp. Kjo është çështje njerëzore. Si është e mundur që në një shtet që thotë se kujdeset për qytetarët, repartet mbyllen për shkak të mungesës së personelit? Si është e mundur që profesionistët të largohen, ndërsa ata që kanë mbetur të lihen pa paga? Fëmijët janë në rrezik. Pacientët janë në rrezik. Sepse nuk ka mjaftueshëm personel”, tha Flora Gashi, ish e punësuar.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçoska, përgjegjësinë për situatën e krijuar e adresoi te menaxhmenti i Klinikës së Fëmijëve. Ajo deklaroi se gjatë vitit të kaluar janë miratuar pëlqime për 38 punësime me afat të pacaktuar dhe se buxheti i institucionit është dashur të harmonizohet me shpenzimet shtesë që kanë rrjedhur nga këto punësime. Koçoska theksoi se kërkesat aktuale kanë të bëjnë kryesisht me personel teknik dhe jo me mjekë apo infermierë, duke shtuar se Ministria e Financave nuk mund të sigurojë mjete shtesë vetëm për një institucion, pasi duhet të kujdeset edhe për nevojat e klinikave të tjera./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button