Sofja mohon publikimin e notës diplomatike për udhëtimin e familjes së kryeministrit / “Është e vjetër, nuk rrezikon askënd”

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ministria e Jashtme bullgare mohon të ketë shpërndarë notën diplomatike apo ndonjë korrespondencë tjetër zyrtare në lidhje me vizitën në Bullgari të anëtarëve të familjes së kryeministrit Mickoski. Por gjithsesi, nga atje shtojnë se informacioni është i vjetër dhe nuk ka rrezikuar askënd.

“Informacioni që qarkullon në publik ditët e fundit i referohet një note verbale të datës 6 janar 2026 dhe i referohet ngjarjeve nga e kaluara e largët. Aktualisht, ky informacion nuk mund të kuptohet si bazë për përfundime se ekziston një kërcënim i menjëhershëm për sigurinë e qytetarëve të Bullgarisë ose të një vendi tjetër”, reagoi me komunikatë Ministria e Jashtme e Bullgarisë.

Nga atje gjithashtu thonë se u përmbahen në mënyrë të rreptë rregullave ndërkombëtare për mbrojtjen e korrespondencës diplomatike.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se publikimi i komunikimit konfidencial diplomatik nga Bullgaria është një precedent serioz dhe një akt i papërgjegjshëm që ngre pikëpyetje në lidhje me sigurinë e Kryeministrit Hristijan Mickoski dhe familjes së tij. Ata kritikojnë kreun e opozitës vendase Venko Filipçe për mungesën e reagimit.

“Dokumenti që u bë publik përmban informacione të ndjeshme, duke përfshirë detaje rreth automjeteve zyrtare, personave që udhëtuan, vendndodhjes së qëndrimit së familjes së kryeministrit, si dhe frekuencës së radios që kanë përdorur sigurimi. Dhe në vend të një kërkimfaljeje dhe marrjes së përgjegjësisë nga Sofja zyrtare, publiku mori heshtje. Por edhe më e zhurmshme është heshtja e të dërguarit të posaçëm bullgar Venko Filipçe. Njeriu që ka relativizuar qëndrimet bullgare për muaj të tërë dhe vepron si avokati i tyre më i zëshëm në Maqedoni, sot nuk ka asnjë fjalë të vetme apo dënim për këtë skandal diplomatik”, tha Brane Petrushevski, nga VMRO-DPMNE.

Reagimet vinë një ditë pasi Ministria e Jashtme e vendit thirri ambasadorin bullar për t’i kërkuar sqarime rreth notës diplomatike të publikuar në mediat sociale dhe portalet bullgare për vizitën e familjarëve të kryeministrit Mickoski në Bullgari në muajin janar. Mickoski këtë e quajti akt të paprecedentë dhe njoftoi edhe NATO-n deri sa tha se raportet mes dy vendeve po radikalizohen./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button