Kodi i ri zgjedhor, me rekomandimet e OSBE-ODIHR
Kodi i ri zgjedhor, me rekomandimet e OSBE-ODIHR

Gazetar: Igor Stefanovski
Do të hartohet një kod i ri zgjedhor. Ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançevski njofton se do të formohet grup pune për përgatitjen e zgjidhjes ligjore, shkruan Alsat.
Personat e parë të grupit të punës do të jenë ekspertët, ndërsa në të ftohen të jenë anëtarë partitë dhe shoqatat që janë duke punuar aktivisht në këto çështje.
Ministri Tupançevski thekson se Kodi aktual Zgjedhor është ndryshuar disa herë, dhe duhet të miratohet një zgjidhje e re ligjore që do t’i përgjigjet rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
“Gjatë kësaj jave, përfshirë javën e ardhshme, do të fillojmë procesin e përgatitjes për miratimin e kodit të ri zgjedhor. Kjo do të thotë që ne do ta vazhdojmë këtë procedurë, kjo është pasojë e asaj që ndodhi në vitin 2015, kur u formua grupi punues ndërministror, dhe i cili filloi aktivitetet e tij në vitin 2016, dhe aktivitetet e fundit i kishte në prill të vitit 2021”, tha Nikola Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.
Tupançevski nuk komenton se çfarë do të përmbajë Kodi i ri Zgjedhor. Ai thotë se grupi do të punojë për këtë dhe prej tij varet nëse do të propozohet që deputetët e ardhshëm të zgjidhen në një zonë zgjedhore. Kjo është kërkesa e partive më të vogla në Kuvend.
“Nuk varet nga unë, ashtu si do të jetë marrëveshja, ne do ta respektojmë. Këto janë padyshim ndryshime të veçanta dhe nuk jam i sigurt se do të jenë zgjidhje për atë, që ne si Ministri e Drejtësisë do të ofrojmë. Mendoj se nëse tashmë shkojmë me përgatitje të një kodi të ri zgjedhor, do të thotë që të gjitha mangësitë që janë konstatuar duhet të rishikohen edhe një herë, si nga personat dhe subjektet që preken, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar, në mënyrë që edhe ajo që është ofruar për momentin do të merret parasysh”, u shpreh Nikola Tupançevski, Ministër i Drejtësisë
Hera e fundit që u ndryshua Kodi Zgjedhor ishte në prill të vitit të kaluar, kur ndryshoi mënyra e votimit duke u vendosur identifikimi biometrik. / Alsat.mk