Festival i ushqimit dhe verës në kuadër të Ballkanit të Hapur
Festival i ushqimit dhe verës në kuadër të Ballkanit të Hapur

Si vazhdimësi e Panairit të Verës, Ushqimit dhe Turizmit i cili mbahet në Beograd nga 1 deri më 4 shtator, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 7 shtator, në kuadër të nismës Ballkani i Hapur, organizon Festivalin rajonal të Ushqimit dhe Verës në Strumicë.
Ky festival i verës dhe ushqimit mbahet në bashkëpunim me organizatën e mirënjohur Exit, organizim i së cilës është edhe ngjarja muzikore e paralajmëruar Get EXITed, ku përveç programit të pasur muzikor do të ofrohet edhe një program specifik dhe interesant etno-gastronomik.
Festivali i ushqimit dhe verës do të jetë i hapur për të gjithë vizitorët pa pagesë dhe do të mbahet në parkun e qytetit në Strumicë dhe do të ofrojë kantinat më të mira rajonale dhe lokale, ekspozuesit rajonalë të ushqimit, si dhe prodhuesit e specialiteteve tradicionale organike nga kuzhina maqedonase. Të pranishëm do të jenë shefat më të mirë të restoranteve më të njohura të Strumicës dhe nxënësit e Shkollës së Mesme Gastronomike, të cilët së bashku do të përgatisin specialitete lokale. Kombinimi i verës, ushqimit dhe muzikës është përkufizimi i një feste të paharrueshme. Në festivalin me përmbajtje cilësore të verës dhe ushqimit dhe në bashkëpunim me eventin muzikor Get EXITed, është paraparë një program në pasdite, që do të vijojë me koncerte që do të zgjasin nga ora 18:00 deri në 21:00.