Nesër në Bullgari sërish zgjedhje parlamentare

Nesër në Bullgari sërish zgjedhje parlamentare

Gazetar: Lluka Andreev

Nesër, pas vetëm një viti e gjysmë, bullgarët do të votojnë për herë të katërt në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Anketat tregojnë se GERB-i i Bojko Borisovit ka avantazh të konsiderueshëm dhe pas tij qëndron partia “Vazhdojmë me ndryshime” e ish-kryeministrit Kiril Petkov. Sondazhi i GALUP tregon se së paku gjashtë parti do të hyjnë në Kuvend dhe dy të tjera janë në prag të hyrjes në kuvend. Sipas gazetares së agjencisë bullgare të lajmeve, Marinela Veliçkova, pjesëmarrja e ulët do të mundësojë hyrjen e tetë partive në Kuvend, gjë që do ta ndërlikonte edhe më shumë procesin e formimit të Qeverisë.

“Asnjë nga dy partitë, përfshirë GERB-in, e cila sipas hulumtimeve të fundit sociologjike ka rezultat më të lartë, nuk do mund të formojë e pavarur qeverinë në këtë situatë. Nëse që nga zgjedhjet e fundit Bullgaria kishte një qeveri prej katër partish, tani është e qartë se do të jetë më e fragmentuar dhe do të jetë edhe më e vështirë të formohet një qeveri e tillë, por do të shohim. Asnjë parti e vetme nuk mund të formonte kabinetin qeveritarë, ndërsa periudha është e vështirë”, tha Marinela Veliçkova – gazetare e BTA.

Veliçkova shton se fokusi i fushatës parazgjedhore është ballafaqimi me krizën ekonomike dhe energjetike dhe tani, sidomos pas miratimit të propozimit francez, tema e Maqedonisë nuk gjen fare hapësirë në diskursin politik.

“Kuvendi ka dhënë pëlqim për propozimin për kornizën e negociatave dhe me këtë ka përfunduar kjo temë. Me përjashtim të disa gjërave të caktuara, si incidenti i disa ditëve në stadium, të cilat krijojnë tensione shtesë dhe komentohen në një mënyrë apo tjetër… Por Maqedonia nuk është tema numër një në Bullgari”, shtoi ajo.

Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor Bullgar, për të votuar në Maqedoni janë regjistruar 181 shtetas bullgarë. Votimi do të bëhet në ambasadën në Shkup, konsullatën në Manastir, si dhe në Veles, Kavadar, Ohër, Prilep, Strumicë dhe Shtip./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button