Mexhiti shpalosi prioritetet e tij, premtoi zgjidhje për kaosin me parkingun në Qendrën Klinike

Mexhiti shpalosi prioritetet e tij, premtoi zgjidhje për kaosin me parkingun në Qendrën Klinike

Gazetare: Vjollca Aliti

Zgjerimi i listës pozitive të ilaçeve, ndërtimi i Qendrës urgjente internistike dhe zgjidhja me kaosin e parkingut Brenda Qendrës Klinike janë ndër tre prioritetet kryesore të ministrit të ri të Shëndetësisë Fatmir Mexhiti. Në paraqitjen e parë për mediat, Mexhiti ndër tjera tha se ardhja e tij në krye të ministrisë së Shëndetësisë nënkupton dhe vazhdimin e projektit të qendrës së re Klinike e cila po premtohet tanimë shumë vite me radhë.

“ Është shumë me rëndësi që atë gjendje kaotike që është në komunikacion të Qendrës Klinike Nënë Tereza dhe kompleksit Nënë Tereza të mundohemi ta zgjidhim. Kemi biseduar me të gjitha institucionet, do na duhet dhe pak kohë , ka një studim fizibiliteti për këtë dhe do ta shohim. Ky është momenti I fundit kështu nuk mund të shkojë më tutje. E dyta dhe shumë me rëndësi do të jetë që pacientët t’I trajtojmë me terapi moderne , më innovative. Kjo do jetë lista e barërave që nuk është ndryshuar më shumë se dhjetë vite, dhe ne duhet patjetër të…”, tha Fatmir Mexhiti, ministër I Shëndetësisë.

Sa i përket kërkesave të Sindikatave për rritjen e pagave të punonjësve shëndetësor, Mexhiti u shpreh I gatshëm për përmbushjen e kërkesës së sindikalistëve.

“Nuk mund të mos gjejmë zgjidhje për to. Patjetër të gjejmë zgjidhje, patjetër. Këtu e kam dhe mbështetjen e kryeministrit drejtpërdrejt që të fillojmë në shëndetësi punët të ecin. Shëndetësia patjetër të funksionojë, nuk kemi zgjidhje tjetër ajo është në të mirën e të gjithëve”, theksoi Fatmir Mexhiti, ministër I Shëndetësisë.

Sindikatat e punonjësve shëndetësor kërkojnë paga më të larta si dhe ndryshime në ligjin për paga tanimë disa muaj me radhë. Javë më parë ata dolën në protesta për mos përfilljen e kërkesave të tyre, ndërkohë që kërcënohen me protesta të radhës në mbarë Maqedoninë derisa kërkesat e tyre nuk gjejnë zgjidhje deri në fund të javës së ardhshme. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button