Vdekja e 6 vjeçares, institucionet punojnë në zbardhjen e rastit

Vdekja e 6 vjeçares, institucionet punojnë në zbardhjen e rastit

Gazetare: Vjollca Aliti

Raporti i obduksionit I cili pritet të zbardh arsyet mbi vdekjen e 6 vjecares Jana nga Manastiri ende nuk është dorëzuar në Prokurorinë Publike të Manastirit. Kur raporti të jetë gati, ai do t’I dorëzohet ministrisë së Shëndetësisë e më pas do ta merr Prokurori. Prokuroria Publike njoftoi se ndërkohë po ndërmerren edhe masa tjera për zbardhjen e rastit.

“Janë marrë në pyetje disa persona të cilët kanë informata si dhe janë siguruar disa dokumente mjekësore. Pjesa tjetër e dokumenteve fillimisht do t’i dorëzohet Komisionit të formuar në MSH. Më pas Prokuroria do ta merr edhe raportin e atij komisioni si dhe raportin e ISHSSH për të parë sa janë respektuar protokollet mjekësore. Pas gjithë verifikimeve do të merret vendim Prokurorie për ecurinë e mëtutjeshme të procedurës”, njoftojnë nga Prokuroria Publike Themelore – Shkup.

Ekipi prej 5 specialistëve pediatër i formuar nga ministri i Shëndetësisë ende është duke punuar në zbardhjen e fakteve mbi rastin tragjik. Kryeministri Kovaçevski mohoi të ketë mungesë të kuadrit mjekësor në Spitalin e Manastirit gjë për të cilën drejtori aktual këtij Spitali ishte ankuar.

“Presim të publikohen faktet mbi atë se çfarë ka ndodhur saktë në Spitalin e Manastirit. Ne kemi sistem shëndetësor i cili është funksional dhe që ka numër të madh të të punësuarve. Ndonjëherë krijohet përshtypja se në disa vende ka mungesë kuadri dhe në disa vende ku duan të punojnë të gjithë siç është Shkupi, paraqitet tepricë e kuadrit, prandaj duhet të bëhet sistemim i resurseve që funksionimi të jetë më i mirë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, gjashtë vjeçarja Jana ndërroi jetë më 22 mars në Spitalin e Manastirit. Sipas deklaratave të prindërve të saj, pasi kishte pranuar infuzionin sheqeri në gjak i kishte kaluar nga 9 në 19 dhe situata ishte komplikuar. Inspektorati shtetëror sanitar shëndetësor njoftoi se pas mbikëqyrjes së tyre nuk kanë konstatuar lëshime gjatë mjekimit të 5 vjeçare dhe se tek ajo ishin shfaqur probleme me zemrën. Në Komisionin e formuar nga MSH, ka dhe pediatër kardiolog./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button