Alarmet për bomba, përgjegjësi për njoftime të rreme dhe jo për terrorizëm

Alarmet për bomba, përgjegjësi për njoftime të rreme dhe jo për terrorizëm

Gazetar: Lluka Andreev

Disa nga paralajmëruesit e bombave të rreme të zbuluar nga policia nuk do të akuzohen për veprën penale “terrorizëm”, edhe pse kështu thuhet në kallëzimin penal të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Prokuroria për krim të organizuar ua ka shpërndarë lëndët prokurorive kompetente, ndërsa vepra tani është “paralajmërim i rremë”. Lëndë të tillë ka edhe në Prokurorinë e Shkupit. Sipas shefit të këtij institucioni, Gavril Bubevski, akuza më e lehtë nuk ka për qëllim të relativizojë kërcënimet e shkaktuara nga paralajmërimet e rreme.

“Thjesht, provat në secilin prej këtyre rasteve individualisht nuk tregojnë se autorët kanë qenë pjesë e ndonjë grupi të organizuar terrorist që ka pasur për qëllim destabilizimin e institucioneve apo rrezikimin e jetës dhe trupit dhe krijimin e ndjenjës së pasigurisë dhe frikës tek qytetarët. Autorët e identifikuar qartë e kanë shfrytëzuar momentin e kërcënimeve hibride, por nuk ishin pjesë e atij sulmi të organizuar”, tha Gavril Bubevski – Prokuroria e Shkupit.

“Ne mund të kemi këndvështrimin tonë, qëndrimin tonë në këtë pjesë dhe unë ende mendoj se paralajmërimet për vendosjen e bombave dhe për shkaktimin e frikës dhe padurimin në popullatë për një akt terrorist duhet të jenë krim terrorizmi, por kjo është çështje e një tjetër institucioni”, u shpreh Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Ministri Spasovski përsëriti se është gjetur një grup i organizuar që qëndron pas pjesës më të madhe të paralajmërimeve të rreme, por informon se provat ende janë duke u shqyrtuar. Ai më parë për grupin tha se ka njerëz edhe nga vendi dhe janë përdorur email adresa nga Irani dhe Rusia.

Spasovski nuk u përgjigj nëse mund të pritet përfundimi i hetimeve së shpejti, por shtoi se në e-mail adresat e shkollave nuk po dërgohen më paralajmërime të rreme. Ai theksoi se nga tetori deri në mars janë regjistruar mbi 950 kallëzime të rreme për 720 objekte nga 60 e-maile të ndryshme. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button