Krerët e Kosovës akuzuan Beogradin: Përmes frikësimit dhe shantazhit penguan zgjedhjet

Krerët e Kosovës akuzuan Beogradin: Përmes frikësimit dhe shantazhit penguan zgjedhjet

Drejtuesit e institucioneve të Kosovës akuzuan Serbinë për bojkotin e zgjedhjeve lokale në katër komunat e banuara me populate serbe, veprim ky i cili sipas presidentes Vjosa Osmani është kundër frymës së Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe ndërhyrje të paligjshme nga jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare”, ka deklaruar Osmani.

Kryeministri Albin Kurti, tha se përmes “frikësimit dhe shantazhit” Beogradi pamundësoi daljen e serbëve në votime, por pavarësisht kësaj ligjet dhe kushtetuta do të zbatohen në veri tha Kurti duke i dhënë legjitimitet të plotë kryetarëve të zgjedhur.

“Fushata e egër e Beogradit zyrtar e cila u ekzekutua edhe nga element kriminal në veri të Kosovës padyshim se ishte një fushatë e cila një fushatë e shantazhit e frikësimit e cila për pasojë pati daljen e ulët të qytetarëve. Mua më vjen keq që parti të caktuara atje kanë ftuar për bojkot, por në fakt thirrja nuk është e tyre, por e Beogradit. Por të gjithë duhet ta kenë parasysh se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria në Kosovë njëmend garantojnë liri dhe të drejta, por në të njëjtën kohë ato sjellin përgjegjësi dhe obligime”, tha Albin Kurti kryeministër i Kosovës.

Por në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, “kanë ndodhur ndryshime tektonike”.

Sipas tij, dje serbët treguan se kërkojnë një qasje krejtësisht të ndryshme, para së gjithash nga bashkësia ndërkombëtare.

“Nën një, zgjedhjet e 23 prillit janë debakël zgjedhor i Kurtit dhe QUINT-it. Nën dy, ky është një rezultat historik sepse nuk ka ndodhur kurrë në tokën evropiane. Nën tre, kjo tregoi unitetin e madh të popullit serb, disiplinën dhe përgjegjësinë e serbëve, gjë që nuk është parë në historinë moderne të kombit tonë”, tha Aleksandar Vuçiq, Presidenti i Serbisë.

Bashkimi Evropian tha se zgjedhjet e parakohshme lokale, në katër komunat në veri të Kosovës, “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike”. Kjo, sipas BE-së mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Zgjedhjet në veriut të Kosovës u vlerësuan si legjitime nga SHBA-të të cilët gjithashtu shprehën keqardhje që partitë serbe nuk morën pjesë në votime. “Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatës që iu shërbejnë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë. Në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, të dielën dolën në votime vetëm 3.47 për qind nga më shumë 45.000 qytetarë me të drejtë vote. Dy komuna, Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin i fituan nga kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe dy të tjerat, Zveçanin dhe Zubin Potokun kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button