Mbyllen pikat për shërbime që u prezantuan me shumë pompozitet, paralajmërohen ndryshime

Mbyllen pikat për shërbime që u prezantuan me shumë pompozitet, paralajmërohen ndryshime

Gazetar: Ardit Ramadani

Zyrat “Një pikë për shërbime” që ndodhen në Shkup, Kumanovë, Ohër, Manastir dhe Tetovë që në vitin 2019 nga ish-ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski u prezantuan me shumë pompozitet, do të mbyllen për shkak të numrit të vogël të qytetarëve që kanë kërkuar shërbime nga këto zyra. Për një vit në të gjitha 5 qendrat, qytetarëve u janë dhënë vetëm 1,062 dokumente.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu paralajmëron që në vend të tyre, po përgatitet hapja e 333 sporteleve në zyrat e Postave të cilat do t’i japin shërbimet e njëjta.

“Bashkë me postat e Maqedonisë, ne punojmë që të ndryshojmë disa ligje, me qëllim që këto shërbime të mund të jepen në çdo zyrë në të cilat postat e Maqedonisë kanë, kështu që qytetarët do të mund të marrin shërbimet e një pikë shërbimi në çdo zyrë në postat e Maqedonisë, dhe ato janë 330 pika, nga të cilat nga 5 tani do t’i disperzojmë në 330 pika që vërtetë do të jetë një ndihmë për qytetarët”, tha Azir Aliu, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Në këto sportele do të jepen gjithsej 10 shërbime nga disa institucione të vendit – edhe atë të Ministrisë për Punë të Brendshme, Transportit dhe Lidhjeve, Punës dhe Politikës Sociale, Drejtorisë për Librat Amë, Agjencisë për Kadastër dhe Pronë të Patundshme, Agjencisë për Punësim, Drejtorisë për të Ardhurat Publike, Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Fondit për Sigurim Shëndetësorë dhe Regjistrit Qendror.

Aktualisht po bëhen ndryshime ligjore që personat e punësuar në Postën e Maqedonisë, të mund t’i japin këto shërbime. E gjithë kjo, përkatësisht vendosja e sporteleve (me shenjëzim të posaçëm) dhe ndryshimet ligjore pritet të bëhen brenda gjashtë muajve.

Aliu shtoi se kjo është vijimësi e punëve të ndryshme në raport të lehtësimit të procedurave për dhënien e shërbimeve qytetarëve. Qëllimi final i tij është digjitalizimi i plotë i shërbimeve publike ndërsa kjo tha se nuk do ta ulë numrin e të punësuarve në administratë, që aktualisht nga 1,354 institucione, të punësuar janë 129.374 persona.

Ndryshe, thuajse çdo ministër në këtë ministri në ditët e para ka prezantuar plan-strategjik për digjitalizimin e shërbimeve publike. Përkundër kësaj, aktualisht edhe numri i vogël i shërbimeve që merren përmes internetit, përballen me një sërë problemesh. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button