Agjencia Europiane e Barnave objekt i një sulmi kibernetik

Agjencia Europiane e Barnave (EMA), e cila aktualisht po diskuton për lëshimin e autorizimeve për disa vaksina kundër COVID-19, njoftoi sot se u bë viktimë e një sulmi kibernetik.
Agjencia me bazë në Amsterdam tha se incidenti ishte nën hetim, por pa specifikuar se kur ndodhi sulmi.
“EMA u bë objekt i një sulmi kibernetik. Agjencia hapi menjëherë një hetim të plotë, në bashkëpunim të ngushtë me policinë”, tha agjensia europiane në një deklaratë të shkurtër.
“EMA nuk mund të japë hollësi të mëtejshme, ndërkohë që hetimi vazhdon ende”, shtoi ajo.
Agjencia po shqyrton aktualisht disa vaksina antiCOVID-19.
Vendimi i tij mbi autorizimin e kushtëzuar për vaksinën “Pfizer/BioNTech” është planifikuar më 29 dhjetor më së voni, kurse për Moderna-n deri më 12 janar.