Me dhjetë vota “pro” dhe shtatë “kundër”, ndryshimet kushtetuese kaluan në komision
Me dhjetë vota “pro” dhe shtatë “kundër”, ndryshimet kushtetuese kaluan në komision

Gazetar: Lluka Andreev
Me dhjetë vota “pro” dhe shtatë “kundër”, Komisioni Parlamentar për Çështjet Kushtetuese miratoi propozimin e qeverisë për të ndryshuar Kushtetutën. Debati në Komision zgjati vetëm dy orë, nga dhjetë ditë të mundshme pune. Propozimi u sqarua përpara deputetëve nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, sipas të cilit duhej të merrej një vendim konsensual shtetëror. Ai shtoi se mundësia duhet të shfrytëzohet kur Bashkimi Evropian ka interes në përshpejtimin e pranimit të vendeve të rajonit.
“Ne vendosëm të mos bëjmë llogari me rejtingje përpara zgjedhjeve të ardhshme , duke përdorur tema të ndjeshme identiteti për interes partiak. Ne kemi vendosur të mos mendojmë për veten tonë, por të mendojmë për të mirën e të gjithëve – dhe kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur para nesh qëllimin e madh evropian. Tani është radha e deputetëve. Në javët e ardhshme, kur të jetë votimi i parë, do të bëhet e qartë se kush mendon për veten e tyre dhe kush mendon për fëmijët e tyre dhe qytetarët që ata i përfaqësojnë”, tha Dimitar Kovaçevski – kryetar i Qeverisë.
Opozita përsëriti se ndryshimet kushtetuese ishin të pamundura dhe hoqën dorë nga debati. Ata thonë se pranimi i marrëveshjeve të dëmshme minon sovranitetin e vendit dhe qeveria nuk ka arritur të sigurojë një garanci që s’do të ketë veto të reja në të ardhmen në rrugën drejt BE.
“Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar. Ky debat i juaji është i dënuar të dështojë Ju nuk keni deputetë, e as që keni pas vete popullin për këtë. Prandaj, pas këtij prezantimi, ne nuk kemi asgjë më shumë për t’ju thënë në lidhje me këtë temë. Nuk do të ketë më diskutime dhe debate dhe le ta lëshojmë propozimin në afate të shkurtra”, u shpreh Nikolla Micevski – deputet i VMRO-DPMNE-së.
“Kjo do të jetë deklarata jonë e vetme mbi propozimin, sepse ne mendojmë se një debat material është i pavlerë, sepse ju, Kryeministër, keni bërë një llogari pa përllogaritur mirë. Ju keni hyrë në proces në mënyrë marramendëse pa siguruar një shumicë prej dy të tretash”, tha Dimitar Apasiev – Deputet i Levicës.
Propozimi i qeverisë u mbrojt nga deputetët e shumicës qeverisëse. Midis tyre ishte deputetja e BDI-së Arta Bilalli Zendeli, sipas së cilës, nëse deputetët nuk mbështesin ndryshimin e Kushtetutës, kjo do të ishte fatale për shtetin. Ajo apelon që të mos izolohet vendi dhe të dorëzohet qendrave tjera të pushtetit.
Kryetari Talat Xhaferi ka caktuar një seancë plenare më 18 gusht për të votuar për nevojën e hapjes së Kushtetutës, për të cilën do të duhet një shumicë prej dy të tretash. Ndërkohë, pasi propozimi për ndryshimin e Kushtetutës kaloi sot në Komision, Qeveria si propozuese tani ka 15 ditë për të dërguar propozim-amendamentet në Kuvend. /Alsat.mk