A po bëhet Akademia Shqiptare ‘mollë sherri’ ndërmjet VLEN dhe VMRO? – Këto janë reagimet
A po bëhet Akademia Shqiptare 'mollë sherri' ndërmjet VLEN dhe VMRO? – Këto janë reagimet

Gazetare: Semra Musai
Promovimi i idesë për krijimin e Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art në Maqedoni nga ana e drejtuesve të koalicionit VLEN, ka nxitur reagimin e partnerit më të madh në Qeveri, shkruan Alsat
VMRO-DPMNE-thotë se Akademia Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë është institucioni i vetëm shkencor në vend që në përbërjen e saj ka studiues të bashkësive të ndryshme etnike.
“Kriter për anëtarësim në Akademinë e Shkencave nuk mund të jetë përkatësia etnike apo politike, por arritjet shkencore dhe kontributi në shoqëri. Shkenca nuk është diçka që duhet dhe mund të politizohet dhe etnizohet. Politizimi i shkencës mund të kërcënojë besueshmërinë dhe cilësinë e saj”, thonë nga VMRO.
Por, partneri shqiptar në Qeveri thotë se shqiptarët janë të përjashtuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, ku nuk ka asnjë të punësuar shqiptar.
Zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti, bëri thirrje që të mbështetet nisma për krijimin e Akademisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe sqaroi se e njëjta nuk është në dëm të askujt.
“Përse ASHAM, Akademia e shkencave maqedonase, deri më sot nuk ka asnjë të punësuar shqiptar. Ky është absurdi, nuk është absurdi përse shqiptarët duan të kyçen aty. Dhe mendoj se është në interes të këtij shteti dhe duhet të jenë të kënaqur të gjithë qytetarët…derisa qytetarët e këtij vendi kërkojnë të merren me hulumtime shkencore, me shkencë me pjesën akademike”, ka thënë Izet Mexhiti, zv/kryeministër i parë.
Ndaj nismës së VLEN-it për Akademinë Shqiptarë, ka reaguar ashpër edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. BDI e ka quajtur skandaloze idenë për themelimin e një institucioni shkencor që do të financohej nga komunat.
“Vlen paska “themeluar” “AKADEMINË” e shkencave dhe arteve e cila do të financohet, imagjinoni, nga Komunat, rast i vetëm në botë, një akademi mahallash. Kështu ndodhi me Muzeun e Lirisë, Teatrin për fëmijë dhe me dhjetëra improvizime tjera komunale që shërbyen për të hedhur hi syve. Në vend se të marrin kryesimin e Akademisë shtetërore për shkencë dhe arsim, të krijonin vend për më tëper akademikë, të votonin ligjin që ne propozuam ndërsa ata e bllokuan me VMRO-në për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në ASHAM, këta dolën me “idenë e madhe komunale” që poshtëron akoma më tepër shqiptarët”, thonë nga BDI.
Ideja për formimin e Akademisë së shqiptarëve për shkencë dhe art u promovua një ditë më parë në Tetovë, nga drejtuesit e koalicionit VLEN.
Kreu i Tetovës, Bilall Kasami njoftoi se në fazën e parë Akademia do të financohet nga komunat, ndërsa në të ardhmen nga buxheti i shtetit.
Intelektualët shqiptarë që takuan dje, krerët e VLEN-it, kritikuan Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë se i mban dyert të mbyllura për to prandaj kërkojnë mbështetjen e shtetit për hulumtimet e tyre shkencore./ Alsat.mk