AAK: Nëse nuk votohet Haradinaj për president, vendi shkon në zgjedhje

Deputetët e AAK-së nuk do të votojnë emër tjetër për president pos liderit të tyre, Ramush Haradinaj.

Deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Pal Lekaj, në një prononcim për mediat vendase është shprehur se nëse partitë politike nuk e përkrahin propozimin e AAK-së, vendi shkon në zgjedhje.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, mbrëmë ka deklaruar se partia e tij nuk do ta votojë Ramush Haradinajn për shef të shtetit.

“Ne nuk kemi vota për një kandidat i cili do të vinte nga koalicioni qeverisës. Është absurde të jetë në opozitë dhe të votosh një kandidat në pozitë”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj tha, po ashtu, se deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e votojnë për shef të shtetit vetëm kandidatin që vjen nga radhët e subjektit të tyre politik.

Deklaratës së Hoxhajt i është përgjigjur deputeti i AAK-së, Pal Lekaj. Ish-ministri i Infrastrukturës tha se 14 deputetët e AAK-së do ta votojnë vetëm Ramush Haradinajn për president dhe jo ndonjë propozim tjetër.

“E kemi thënë vazhdimisht se Aleanca është e vendosur në këtë drejtim. Ne si Aleancë e kemi ofruar kandidatin tonë z. Haradinaj për postin e presidentit dhe për këtë nuk bëjmë kompromis. Ne vlerësojmë propozimet e partive tjera, në këtë rast edhe të PDK-së por ne jemi të vendosur që 14 votat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk shkojnë për asnjë personalitet tjetër përpos kandidatit tonë z. Haradinaj”, tha Lekaj.

Ndër të tjera ai shtoi se nëse partitë e tjera nuk e përkrahin liderin e tyre atëherë vendi shkon në zgjedhje.

“Nëse partitë politike nuk e përkrahin propozimin e Aleancës atëherë nuk ka tjetër zgjidhje përpos që vendi të shkojë në zgjedhje”, u shpreh Lekaj.

Ndërkaq, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, dje para mediave, tha se javën e ardhshme do të takohen me partitë politike për çështjen e presidentit. Mustafa ka thënë se është më mirë të arrihet pajtueshmëri për emrin e shefit të shtetit dhe jo të shkohet në zgjedhje të reja.

LEXO EDHE:

Back to top button