Abazoviq: S’ndryshojmë qëndrim ndaj Kosovës
Abazoviq: S’ndryshojmë qëndrim ndaj Kosovës
Mali i Zi do të përkrahë Kosovën në aplikimet për anëtarësim në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtar. Këto komente kryeministri në detyrë i Malit të Zi Dritan Abazoviq i bëri pas takimet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë. Abazoviq tha gjithashtu se pavarësisht disa proceseve politike në Podgoricë, politika zyrtare e Malit të Zi karshi Kosovës nuk do të ndryshojë. Kurti nga ana tjetër tha se rregullat e BE-së, avancimi i demokracisë dhe sundimi i ligjit si dhe forcimi i aleancës trans-atlantike janë qëndrimi dhe parakushti i Kosovës për bashkëpunim rajonal. Kurti e Abazoviq nënshkruan marrëveshje për shërbime ajrore, që mundëson shkurtimin e kohës së udhëtimeve dhe synon të ulë çmimet e biletave për udhëtarët.
“Në Mal të Zi kanë ndodhur edhe disa procese politike, por kjo nuk do të ndryshojë asnjë politikë ndaj Kosovës zyrtare. Ju mundeni me llogaritë në Mal të Zi dhe në ato që kanë me qenë aktivitetet ndërkombëtare të Kosovës në të ardhmen. Ne jemi të më se të gatshëm të përkrahim në kapacitet sa janë mundësitë tona”, deklaroi Dritan Abazoviq, Kryeministër i Malit të Zi.
“Na gëzon fakti që Mali i Zi i ka ratifikuar tri marrëveshjet e mobilitetit në Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Rregullat e Bashkimit Evropian, avancimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe forcimi i aleancës transatlantike janë qëndrim, qëllim dhe përkushtim i Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.








