Abdixhiku pas takimit me Kurtin: S’ka marrëveshje për presidentin, nuk takohemi më

Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), parti në opozitë, ka bërë të ditur të hënën se nuk ka arritur asnjë marrëveshje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për çështjen e presidentit të Kosovës dhe që palët nuk do të takohem më.

“U përpoqa, provova, nuk arrita, fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, ka thënë Abdixhiku pas takimit, duke përsëritur qëndrimin e partisë së tij, që një parti nuk mund t’i udhëheqë tre institucionet kryesore në vend: Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka insistuar që pozita e presidentit t’i mbetej partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) e cila është në pushtet.

I pyetur nëse ka një përafrim mes LDK-së dhe ish-presidentes Vjosa Osmani, të cilës i skadoi mandati më 4 prill, Abdixhiku ka deklaruar se diçka e tillë do të ishte lajm i mirë edhe për Kosovën edhe për LDK-në.

“Është qëllimi im dhe do të punoj për këtë qëllim deri në ditën e fundit”.

Takimi Kurti-Abdixhiku vjen teksa afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit do të skadojë më 28 prill, dhe nëse nuk përmbushet, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Pak orë para takimit, Kurti bëri thirrje për kompromis.

“Zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit, dhe kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis e vendime jo të lehta”, tha Kurti gjatë mbledhjes së kabinetit të tij./REL.

LEXO EDHE:

Back to top button