Kuvendi në pritje, VV dhe LDK pranë marrëveshjes për presidentin
Gazetare: Lisa Alili
Një hap përpara, por ende pa zgjidhje. Emri i Presidentit të ardhshëm të Kosovës vazhdon të mbetet në tavolinën e negociatave, pavarësisht bisedimeve mes kreut të LVV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së Lumir Abdixhiku, një marrëveshje konkrete duket ende larg. Nga LDK vijnë sinjale të përziera pasi përderisa drejtuesit e partisë vazhdojnë dialogun me LVV-në, brenda partisë ka pakënaqësi rreth mënyrës se si po zhvillohen negociatat.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka kritikuar kriteret e vendosura për kandidatin, duke ngritur pikëpyetje nëse profili që po kërkohet është realisht zgjidhja e duhur për Kosovën. Gashi e quajti “mjerim politik” situatën e krijuar rreth zgjedhjes së presidentit.
Ndërkohë, deputetët e PDK-së dhe Aleancës u paraqitën edhe sot në sallën e Kuvendit ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ambasadës amerikane dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Deputët insistuan te kryesuesi Avni Dehari në mbajtjen e seancës konstituive, ndaj të cilit një ditë më parë PDK ka dorëzuar kallëzim për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Nga foltorja e kuvendit, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se Kosova është marrë peng nga Albin Kurti i cili luan me fatin e vendit.
“Mos luani me demokracinë, mos luani me Kushtetutën. Ejani në Kuvend dhe t’i japim fund kësaj situate, sepse e keni kthyer Kosovën në një vend pa institucione, pa ligj e pa Kushtetute.” – Ganimete Musliu, Partia Demokratike e Kosovës.
Ndërkohë, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se gjendja në vend është duke agravuar vazhdimisht.
“Ky konstulacion politik ka qenë në anën e kundërt të historisë në kohën e Marrëveshjes së Rambujesë dhe në kohën kur NATO ka hy në Kosovë. Ky konstulacion politik ka qenë në anën e kundërt të historisë kur është shpallur Pavarësia e Kosovës.” – Besnik Tahiri, Aleanca.
Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit, mandati presidencial së cilës përfundoi në prill, Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor. Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit. /Alsat.mk








