Ende s’ka zgjerim të hetimit për helmimin e mijëra qytetarëve të Gostivarit me ujë

Gazetar: Suad Bajrami

Pavarësisht paralajmërimeve për mundësinë e zgjerimit të hetimit për incidentin me ujin e pijshëm në Gostivar, kanë kaluar gjashtë javë ende nuk ka asnjë lëvizje. Nga Ministria e Brendshme, nuk japin informata nëse kanë dorëzuar kallëzime të reja për helmimin e mijëra qytetarëve. Heshtë edhe Prokuroria.

Deri tani, nën hetim vazhdojnë të jenë tre persona. Edhe atë, drejtoresha e Ujësjellësit të Gostivarit dhe dy udhëheqës të sektorëve të ndërmarrjes, të cilët ndiqen për vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës, të kryer në bashkëpunim. Për veprën në fjalë, parashihet dënim me burg së paku 4 vjet.

Duke u bazuar në provat që i ka mbledhur prokuroria, dyshohet se personat përgjegjës kanë vendosur tre pompa uji me qëllim të rritjes së presionit të ujit në ujësjellës. Sipas kontrollit dy prej tre pompave kanë qenë duke injektuar ujë të ndotur me fekale direkt në ujësjellës, të cilin më pas e kanë konsumuar banorët.

Pas ndotjes, është tentuar që të pastrohet uji me klor, megjithatë autoritetet kanë gjetur prani shumë të lartë të klorit sesa sasia e lejuar me ligj.

Gjatë takimit joformal me gazetarët, Prokuroria kishte njoftuar se do t’i hetojë të gjitha palët e përfshira në incident. Megjithatë hetimet ende vazhdojnë.

Nga incidenti i ndotjes së ujësjellësit në Gostivar, mbi 5000 banor u helmuan, ndërsa autoritetet gjetën baktere fekale te pacientët. Pas pastrimit të plotë, ujësjellësi fillimisht u lëshua për përdorim teknik, ndërsa aktualisht lejohet për pije.

Megjithatë, në zona të caktuara të Gostivarit, vazhdon problemi me mungesën e furnizimit me ujë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button