Tramp pas bisedave me Putinin: Rusia nuk do të sulmojë NATO-n

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka thënë se nuk beson se Moska do ta sulmojë ndonjë vend anëtar të NATO-s, me gjithë rritjen e shqetësimeve se presidenti rus, Vlladimir Putin, mund të urdhërojë sulm ndaj një vendi baltik ose ndonjë tjetër vendi anëtar, për ta vënë në sprovë vendosmërinë e aleancës perëndimore. Tramp u tha gazetarëve se kishte zhvilluar “biseda të mira” me Putinin dhe se “ai nuk do të sulmojë territorin e NATO-s”. Tramp nuk tregoi se kur ishin zhvilluar këto biseda.

“Kam pasur biseda të mira me të, ai nuk do të sulmojë një territor të NATO-s.” – Donald Tramp, President i SHBA-së.

Këto deklarata u bënë në të njëjtën kohë kur Kremlini i hodhi poshtë si “rrëfime frikësuese” raportet në mediat amerikane se Moska mund ta sulmojë NATO-n, si dhe pas një vizite të papritur të drejtorit të CIA-s në Moskë. Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, udhëtoi në Moskë këtë javë me qëllim për ta paralajmëruar Rusinë të mos ndërmerrte sulme ndaj vendeve të NATO-s, veçanërisht Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Udhëheqësit e këtyre vendeve kanë paralajmëruar prej kohësh për agresionin rus. Vitet e fundit, Rusia ka zhvilluar një fushatë hibride kundër vendeve baltike, duke përfshirë testimin e hapësirës ajrore, luftën elektronike, sabotazhin dhe operacionet kibernetike.

LEXO EDHE:

Back to top button