Akoma asgjë nga hetimi për djegien e veturës së ish zëvendëskryeministrit, Artan Grubi i cili aktualisht ndodhet në arrati

Akoma asgjë nga hetimi për djegien e veturës së ish zëvendëskryeministrit, Artan Grubi i cili aktualisht ndodhet në arrati

Gazetar: Suad Bajrami

Plot dy vjet nga djegia e veturës luksoze Audi që përdorte Artan Grubi, por që sipas dokumenteve ishte në pronësi të shokut të tij. Prokuroria ende nuk ka asnjë rezultat nga hetimi rreth autorëve të krimit. Organi i akuzës, nuk ka përgjigje as edhe për çështjen që u hap pas rastit, nëse vetura ishte me të vërtetë e fqinjit apo ajo zotërohej nga Grubi por përdorej me emër të tjetërkujt në mënyrë që të fshihej paraqitja në listën e deklarimit të pasurive apo ndoshta synonte thjesht të fshihte prejardhjen e parave të përdorura për blerjen e saj. Në reagimin e parë, Grubi nuk reflektoi që makina ishte e tij. Ai u kërkonte falje komshinjve por edhe shokut të tij për incidentit, pavarësisht se djegien e veturës e llogariste si kërcënim ndaj angazhimit të TIJ politik. Grubi arsyetohej se nuk kishte veturë tjetër, përveç një Citroeni në emrin e babai të tij, modeste që kushtonte deri në 1 000 euro, por që, herë pas here, përdorte veturat e vëllezërve dhe miqve të tij. Megjithatë, këmbëngulte se Audi luksoz ishte e shokut të tij.

“Absolutisht, nuk është veturë e imja. Absolutisht. As formalisht as joformalisht e as në çfarëdo baze kam paguar asnjë lloj denari për atë veturë e për të tjerat. Siç ju thashë, kam përdorur shumë vetura të tjera për qëllime private”, pati thënë Artan Grubi, zëvendëskryeministër 24.07.2023.

Megjithatë ky version i Grubit u prit me mosbesim në opinion, sidomos kur bashkëpartiakët e tij të indinjuar reagonin duke dënuar aktin e personalizuar ndaj ish zëvendëskryeministrit Grubi. I tillë ishte edhe reagimi i Bujar

“Jam i indinjuar me lajmin e aktit të neveritshëm, djegien e automjetit të zv.kryeministrit Grubi”, shkruante Osmani.

Vetura e djegur, e cila nga analiza u konfirmua se kishte pasur drita rrotuese policore të vendosura në mënyrë të paligjshme, sipas deklarimeve të vet Grubit, i përkiste një biznesmeni të suksesshëm, shok personal të tijin, që ia kishte dhënë për përdorim për nevoja private. Të dhënat e mëtejshme zbuluan se makina ishte e regjistruar në emrin e Bekim Limanit, pronarit të kompanisë “Eurocom Lighting”. E përjavshmja “Fokus” nxori se kompania në fjalë punonte me humbje prej disa vitesh, por pavarësisht kësaj, kishte blerë hotelin “Granit” në qendrën turistike “Kodra e Diellit” në Tetovë për vetëm 55 mijë euro.

Kjo çoi në reagime më të bujshme të opinionit publik ndërsa opozita ngriti dyshimet për lidhje biznesore me pronarin e veturës. Megjithatë, Antikorrupsioni i cili është ndër trupat kryesor që merret me evidentimin dhe ndjekjen e pasurisë së funksionarëve, hoqi dorë nën arsyetimin se korniza ligjore nuk u lejonte të hetonin pronat që nuk janë në pronësi të funksionarëve. Praktikisht, Antikorrupsioni mund të hetonte vetëm një veturë “Citroen” në vlerë prej 1 000 eurosh që Grubi e kishte paraqitur në listën e deklarimit të pasurive.

Prokuroria Publike Themelore, pas presionit të medias dhe opinionit publik, u detyrua të hapte hetimet. Por, bëhen tashmë 2 vjet, dhe nga hetimi nuk ka asnjë përgjigje./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button