Intervistë me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov
Intervistë me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov
Gazetar: Suad Bajrami
Ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov në një intervistë për Alsat flet rreth zhvillimeve të fundit në Kala të Shkupit, pasi në autoritetet po ndërmarrin aktivitete për revitalizimin e Kalasë si destinacion turistik e kulturor. Lutkov hedh poshtë akuzat e BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët të cilat nëpërmjet komunikatave ngritën shqetësim se në Kala po zbatohen projekte për falsifikim të historisë. Sipas ministrit, aktualisht po punohet vetëm në vënien në funksion të dy muzeve të Parahistorisë dhe periudhës Osmane, ndërsa nuk do të preket fare konstruksioni metalik, i cili ishte objekt për protesta e dhunë për shkak të pretendimeve për transformimin e tij në kishë. Lutkov, këmbëngul se as ka pasur e as ka qëllim që në Kala të Shkupit të ndërtohet kishë.
Gazetari: Ministër çfarë po punohet në Kalanë e Shkupit? Opozita shqiptare akuzon se atje po zbatohet ndonjë projekt për të falsifikuar historinë.
Lutkov: Shiheni. Opozita shqiptare nuk mundet të pajtohet tanimë një vit se është në opozitë dhe se politikat e tyre nuk kanë qenë në interes as të shqiptarëve, as të maqedonasve as të cilido tjerëve që jetojnë në Maqedoni dhe për ato arsye qëllimi i tyre është krijimi i tensioneve ndëretnike. Dhe çështja e dytë është se shërbehen me gënjeshtra dhe manipulime. Nëse kanë dashur të reagojnë në këtë temë, kanë mundur të reagojnë para gjashtë muajsh, në fakt diku në muajin tetor, kur ne bashkë me drejtoreshën e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore u paraqitëm në Kala ta shohim gjendjen pasi 14 vite Kalaja është jofunksionale, ndërsa ai ajo është simbol i kulturës, traditës maqedonase dhe… vendi më potencial turistik dhe një ndër vendet më të vizituara në Shkup dhe për të ardhur keq është imazhi të mbetet ashtu.
Pasi shtatë-tetë vite më parë nuk kanë arritur të ndërmarrin asgjë, tendenca jonë ishte dhe mbetet edhe më tej që Kalaja sërish të kthehet në funksion siç ka qenë më herët. Nëse ju kujtohet, në Kala kishte dy muze të gatshëm. Muzeu i cili është bërë i Parahistorisë dhe Muzeu i Periudhës Osmane. Dhe është ndaluar gjithçka kur ka filluar të bëhet Muzeu i Periudhës Mesjetare ose të Periudhës së Hershme Krishtere. Këto dy muze ishin të gatshme, domethënë vetëm duhej të hapen, por pasi 10 vite është shkatërruar gjithçka brenda, mekanika është vjetërsuar dhe prishur, klimatizimi e kështu me radhë… Ne që atëherë paralajmëruam se në periudhën e ardhshme, në rebalancin e buxhetit do të sigurojmë mjete sërish ta revitalizojmë Kalanë pasi me të vërtetë shumë turistë vijnë ta shohin Kalanë. Për këto arsye, vendosëm këtë ta bëjmë tani, që të mos ketë spekulime në opinion. Domethënë, fillimisht e pastrojmë Kalanë tërësisht, pasi kompetenca ndaj Kalasë ka edhe Drejtoria, por ka edhe Qyteti i Shkupit. Domethënë ka kompetencë të ndarë. Do të pastrohet Kalaja, më tej duhet të rinovohen ulëset, shportat, duhet të vendoset sistem i ujitjes dhe dy muzetë me 8 milionë denarë të cilat i kemi siguruar me rebalancin e buxhetit, të rregullohen, rikonstruohen, të kthehen brenda parametrat dhe mjetet dhe ta hapim për përdorim. As ka aktivitete ndërtimore në Kala, as në periudhën e ardhshme do të ketë. Kjo është ajo që është plani deri në fund të vitit 2025.
Gazetari: Ministër, a ka Ministria plan për ndërtimin e kishës në Kala?
Lutkov: Kishë në Kala as ka pasur qëllim për t’u ndërtuar, as do të ndërtohet. Siç thash, atje ka tre periudha, në Kala. Njëra është periudha Parahistorike, njëra është periudha Otomane dhe njëra periudha e Hershme Krishtere. Atje duhet të ketë tre muze, të cilët e pasqyrojnë tërë historinë. Këto dy muze janë të gatshëm, ndërsa i treti është ndaluar. Kështu që në këtë periudhë i treti nuk vazhdohet të punohet në të, pasi nuk është i gatshëm as projekti, as kemi mjete më tej. Thamë deri në fund të vitit 2025 do t’i hapim, këto dy muze. Kishë, as ka pasur qëllim, as do të ndërtohet.
Gazetari: Çfarëdo do të bëhet me konstruksionin metalik që prej vitit 2011 ndodhet atje, dhe as ndreqet e as prishet? Ndërkohë, nga BDI thonë, nëse duan që t’i besojmë qeverisë le ta rrëzojë atë që kishte për qëllim të bëhet kishë.
Lutkov: Unë prapë do të them, BDI spekulon vazhdimisht, pasi nuk munden të pajtohen me faktin se asgjë nuk kanë pasur sukses të bëjnë 20 vite për shtetin dhe tani me disa lajme sensacionaliste për tensione ndëretnike dhe kështu me radhë, duan sërish të na kthejnë pas 12-13 vite. Por, ajo nuk do të ndodh. Ne tani duhet ta shohim projektin se çfarë ka përmbajtur. Për atë ju them, se ai do të jetë në ndonjë prej projekteve të radhës do të shohim më tej në vitin 2026. Pasi vetëm ai ka bazament, por më tej është i ndërtuar me disa materiale që nuk e pasqyrojnë atë periudhë. Siç pasqyron muzeu i parë dhe i dytë, i treti nuk e jep atë imazh. Për atë them, deri në fund të vitit 2026 do të rikonstruohen këto dy muze, me të tretin do të shohim.
Gazetari: nëse ju kuptoj ministër, edhe ju nuk pajtoheni me atë projekt, për çka konstruksioni metalik ende është atje?
Lutkov: Unë nuk pajtohem se duhet të ekzistojë kishë. Unë thash edhe më herët, duhet të ketë tre muze dhe ashtu do të jetë edhe më tej.
Gazetari: Megjithatë, të tretin e kur e publikuan atëherë, dukej si kishë?
Lutkov: Ajo është varur prej projektuesve. Ai duhet ta pasqyrojë periudhën në të cilën janë gjetur mjetet atje në Kalanë e Shkupit.
Gazetari: Ka projekt të ri për atë?
Lutkov: Atë do ta shohim në vitin 2026 duhet ta shohim këtë projekt, për atë them as kemi siguruar mjete për muzeun e tretë. Duhet të ulemi të shohim se çfarë ndodhë me atë projekt, në çfarë faze është, si është dukur në tërësi. Duhet të ulemi dhe të shohim në vitin 2026.
Gazetari: Pasi kishte reagim të ashpër, kishte incident. A do të vazhdohet me atë qëllim, me atë projekt. Pasi këtu është arsyeja kryesore pse qytetarët dhe opozita janë pak të irrituar?
Lutkov: Nuk ekziston diçka e tillë se do të ndërtohet kishë. Duhet të ndërtohet muze, ky është thelbi. Duhet të ketë tre muze, në të cilat do të ekspozohen mjetet e gjetura në atë periudhë kur janë zbuluar.
Gazetar: Mos të jetë muze me dukje të kishës?
Lutkov: Atë nuk e di, ja të ju them sinqerisht. Projektin e fundit s’e kam parë. A duket sikur kishë, por sido që të jetë. Shihni, nëse kjo duket si kishë, atëherë duhet të them se kjo tjetra duket në xhami, apo ajo tjetra duket si… pra ai duhet ta pasqyrojë periudhën në të cilin janë gjetur mjetet – muze./Alsat.mk








