Akoma asnjë marrëveshje mes Qytetit të Shkupit dhe transportuesve privatë

Akoma asnjë marrëveshje mes Qytetit të Shkupit dhe transportuesve privatë

Gazetar: Mefail Ismaili

Transportuesit privat dhe Qyteti i Shkupit akoma pa marrëveshje që autobusët privat të dalin në qarkullim. Transportuesit thonë se kanë dorëzuar një pjesë të dokumenteve të kërkuara nga Qyteti i Shkupit dhe presin që të thirren në takimin e dytë.

“Prej atë ditë disa gjëra që janë sugjeruar i kemi kryer ne, tani presim që të kemi takim të dytë, në atë takim do të sqarohen shumë gjëra të tjera dhe të dihet më konkretisht saktë se çka do të ketë… Siç e dini ne kemi dy pika kryesore që kërkojmë ajo është borxhi dhe kthimi në punë, tash për tash punohet në të dy gjërat, pikë së pari për borxhin punohet e pastaj edhe kthimi në punë. mendoj se këto ditë do ta kemi takimin e dytë me znj. Arsovska dhe do të dihet konkretisht se çka”, deklaroi Hisen Alili, transportues privat.

Nga Qyteti i Shkupit nuk japin detaje se kur pritet të realizojnë takimin e radhës me transportuesit privat.

“Takimi do të organizohet në pajtueshmëri me bisedimet dhe marrëveshjen me trupin e ri koordinues të transportuesve privat, për çka do të njoftoheni në mënyrë përkatëse”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Ndërkohë stacionet e kryeqytetit vazhdojnë të jenë plotë. Qytetarët thonë se presin me orë autobus, ndërsa në periudha të caktuara të ditës nuk mund të hipin fare.

“Varet, unë jetoj në rrugën “Samoillova”, ndonjëherë mundet edhe mos të na vijë 17-ta. Po pres, shoh se edhe njerëzit shumë presin”.

“Hiç, dy orë, tre orë bën vaki për në Haraçinë nuk ka autobusë hiç, presim shumë presim… Transporti është katastrof, unë nuk e di se çfarë zgjedhje do të ketë ky transport, ne vuajmë, ka fëmijë që shkojnë nëpër shkolla, ka nëpër punë, nëpër spitale të kalon afati i terminit, e kjo është katastrof…”.

“Në orët e pasdites kur kthehen njerëzit nga puna është e pamundur të hipi në autobusë, unë mbaj torba, në këmbë eci, kam stacion por nuk mund të hipë njeri ka shumë njerëz, është diçka jonormale”.

Tre muaj pasi transportuesit privat ndaluan së punuari për shkak të borxheve nga ana e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik (NQP), javën e kaluar u pritën në takim nga kryetarja e Qytetit, Danella Arsovska.

Tranpsortuesit shprehen se ka vullnet pozitiv që të zgjidhet problemi i tyre, por pa dhënë detaje se në çfarë rruge do të zgjidhet çështja e borxhit dhe kthimi në qarkullim. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button