Aksident te kalimi jolegal në Bit Pazar – qytetarët shpërthejnë: Legalizoni kalimin!
Edhe një tjetër aksident iu shtua listës së dhjetëra të tjerave në kalimin ilegal në Bit Pazar. I fundit ndodhi në orët e pasdites, ku një grua dhe një burrë u goditën nga një makinë në këtë vendkalim. Që të dy kanë pësuar lëndime trupore, por janë jashtë rrezikut për jetën. Në terren dolën ekipet e ndihmës së shpejtë dhe të policisë, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit. Qytetarët këmbëngulin që ky vendkalim të legalizohet, të vendosen semaforë e vizëbardha, me qëllim shmangien e aksidenteve në të ardhmen.
“Unë i kam parë vetëm kur kanë qenë të rrëzuar, s’kam parë më tej, por po thonë se kanë ardh prej andej e këtej.
– Këtu semaforë të vendosen, ndryshe nuk bën, tha një qytetar.
“ Semaforë patjetër, nuk munden të moshuarit të ngjiten nëpër shkallë të ngarkuar, s’ka shanse. Semaforët janë më të sigurte, për sigurinë e të gjithë qytetarëve…
-Pra ju po kërkoni që ky vendkalim të bëhet legal?
– Ka qenë legal para 50 vitesh, një person del e bën jolegal, nuk është e drejta e tij është e drejta e popullit të vendos,” tha një tjetër qytetar.
Pak ditë më parë u tentua mbyllja e këtij vendkalimi ilegal, ku pas daljes në terren të ekipeve teknike të Qytetit të Shkupit, pasuan protesta të qytetarëve dhe menjëherë punët u ndërprenë dhe grilat që u vendosën fillimisht u hoqën menjëherë. Qytetarët në të njëjtën ditë theksuan se kishin marrë garanci se vendkalimi do të legalizohet. Se po shqyrtohet mundësia për legalizim ka deklaruar edhe numri një i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Në këtë pikë, ndër vite ka pasur dhjetëra aksidente, disa prej të cilave me përfundim fatal. /Alsat.mk









