Alarm nga zjarret: Një vatër ende aktive, dëme të mëdha në Shtip
Gazetar: Avni Tahiri
Gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 17 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilave 16 janë shuar, ndërsa një zjarr në zonën e fshatit Belicë, komuna e Makedonski Brod, është vënë nën kontroll.
Qendra për Menaxhimin e Krizave njofton se edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar gjashtë zjarre në hapësira të hapura në territorin e vendit. Prej tyre, një zjarr vazhdon të jetë aktiv, ndërsa pesë të tjerë janë vënë nën kontroll dhe janë shuar. Zjarri aktiv është regjistruar në Komunën e Kumanovës, në vendin e quajtur Parmakovi Nivi, ku po digjet bar i thatë.
Nga Drejtoria për Menaxhim me Kriza thonë se zjarri që përfshiu komunën e Shtipit kishte rrezik të linte të gjithë qytetin pa ujë por me vënien në funksion dy Air Traktorë dhe zjarrfikësve zjarri u shua në kohë edhe pse ka lënë dëme të konsiderueshme.
“Për fat të keq, sezoni i zjarreve në vendin tonë këtë vit filloi shumë herët tek ne por organizimi i mirë dhe shpallja e gjendjes së krizës në kohë nga qeveria që filloi nga 1 korriku na e mundësoi që më lehtë të ballafaqohemi me zjarret edhe pse për fat të keq kemi dëme të konsiderueshme siç ishte zjarri në Shtip i cili ishte i rëndë në pyll me pisha dhe e vinte në rrezik edhe ujësjellësin e qytetit dhe kishte rrezik që i gjithë qytetit të mbetet pa ujë të pijshëm por me zjarrfikësit tanë zjarri u lokalizua dhe me dy Air traktora, zjarri u shua tërësisht,”tha Stojançe Angelov – Drejtor i Drejtorisë për Menaxhim me Kriza
Situata me zjarret është e vështirë dhe po përhapen me shpejtësi në Evropën Jugore, duke detyruar mijëra njerëz të evakuohen në Francë, Spanjë, Portugali, Greqi, Kroaci dhe Shqipëri. Mbi 19.000 hektarë tokë janë shkatërruar, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se sezoni i zjarreve ka nisur më herët për shkak të temperaturave ekstreme dhe thatësirës.
Në Francë, një zjarr i madh pranë Perpinjanit ka detyruar evakuimin e mbi 10.000 banorëve, ndërsa etapa e tretë e Tour de France do të zhvillohet pa spektatorë për arsye sigurie. Meteorologët paralajmërojnë se vala e re e të nxehtit mund të zgjasë deri në fundjavën e ardhshme, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të zjarreve. /Alsat.mk








