Alarm shëndetësor: Ndryshimi i temperaturave rrit rastet e virozave
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Gjatë javës që po lëmë pas, qytetarët janë përballur me ndryshime të shpeshta të motit, nga temperatura të larta në shumë të ulëta. Si pasojë, ka pasur rritje të numrit të kontrolleve në ambulanca dhe qendra kujdestarie. Pacientët janë paraqitur kryesisht me kollitje, sy të skuqur e me lotim, hundë të zëna dhe hundë që rrjedhin. Në qarkullim kanë qenë edhe virusi respirator sincicial dhe viruset e stomakut dhe zorrëve, ndërsa më të prekurit janë fëmijët. Sipas mjekëve, gjatë orëve të kujdestarisë kontrollohen rreth 50 pacientë, ndërsa në ndërrimin e natës realizohen deri në 40 kontrolle.
“Gjithmonë kur kemi ndryshime të motit, sidomos në kohëra me shi dhe të lagësht aktivizohen simptomat tek fëmijët që kanë probleme kronike, të llojit të astmës, bronhite konstruktive. Shumë shpesh vijnë në ambulantat urgjente dhe gjatë orëve të kujdestarisë me një kollitje, vështirësi në frymëmarrje, shumë shpesh japim terapi urgjente, inhalim, ose i dërgojmë në klinikë,” tha Sanja Cilevska Mlladenovska, mjeke.
Ndërkaq mot i paqëndrueshëm pritet të mbajë edhe gjatë fundjavës. Sipas sinoptikëve, stabilizimi i motit pritet nga dita e martë, ndërsa temperaturat gjatë fundjavës do të lëvizin prej 21 deri në 29 gradë Celsius.
“Në ditët e vazhduara të fundjavës do të kemi mot të paqëndrueshëm, në disa vende me reshje shiu, breshër dhe erë të fortë. Procese më intensive do të ketë të shtunën dhe të dielën, pritet të ketë reshje shiu mbi 20 litër për metër katror….nga e marta do të kemi mot të qëndrueshëm,” deklaroi Juliana Fidansoka Mishkoska, sinoptike.
Mjekët apelojnë që qytetarët të kenë kujdes gjatë ndryshimeve të motit, të forcojnë imunitetin me ushqim të shëndetshëm, lëngje dhe pushim të mjaftueshëm. /Alsat.mk








