Transportuesit privatë ndalojnë qarkullimin në fshatrat e Strugës, Komuna premton shlyerjen e borxhit deri në fund të vitit
Gazetar: Miki Trajkovski
Banorët e fshatrave të Strugës prej dy ditësh kanë mbetur pa transport publik. Kjo për shkak se transportuesit kanë ndërprerë qarkullimin në shenjë revolte për mos shlyerjen e borxhit ndaj tyre për transportimin e nxënësve si dhe çmimit të pandryshuar të biletave që nga viti 2022. Banorët shprehen të revoltuar për situatën e krijuar.
“Nuk është mirë për ne. Më parë kishte transport çdo orë, tani ka çdo dy orë. Nuk është mirë për ne. Vijmë shpesh, por ka çdo dy orë. Duhet të ketë më shpesh. Duhet të gjendet një zgjidhje. Nuk është mirë për ne që nuk kemi automjete; ata që kanë, e kanë transportin”, tha një banor i Koroshishtës.
“Duhet të ketë marrëveshje që të gjithë të udhëtojnë me furgonët, sepse me ta vijmë ne. Me çfarë të vijmë, në këmbë? Vij këtu tri herë në javë. Për këto herë, me çfarë të vij? Kemi punët tona, duhet t’i kryejmë. Kjo që po bëjnë nuk është zgjidhje”, tha një banor i Delogozhdës.
“Nuk e di si do të shkojmë. Jemi njerëz të sëmurë, gruaja ime është e sëmurë dhe nuk e di si do të shkojmë. Ky është transporti ynë i vetëm për në Strugë, nuk kemi transport tjetër. Si do të gjeni zgjidhje? As vetë nuk e di. A është shtrenjtë me taksi? Po, është shtrenjtë. Kushton 300–400 denarë, ku t’i gjejmë?“, thotë një banor i Oktisit.
“Këtu është gabimi i autoriteteve komunale, duhet të paguajnë. Le të protestojnë. Për nxënësit, kudo në botë sigurohet transport dhe ushqim, vetëm tek ne jo. Kjo çështje duhet të zgjidhet, duhet të shihet se ku është problemi”, theksoi banor i Podgorcës.
Kryetari i Komunës së Strugës, Qyra, mbetet në qëndrimin se borxhet e mbetura do të shlyhen deri në fund të këtij viti.
“Komuna ka qëndrim që borxhet e vjetra deri më 31.12. do të paguhen. Gjithashtu kam propozuar që të rritet edhe çmimi dhe pritet që Këshilli ta miratojë atë pikë për rritjen e çmimit. Mund t’i siguroj të gjithë transportuesit se të gjitha borxhet e mbetura nga pushteti i mëparshëm do të paguhen, por duhet të presim që të kemi mjetet në kohë, sepse nuk janë vetëm këto borxhe, por ka edhe borxhe të tjera”, deklaroi Mendi Qyra, kryetar i Komunës së Strugës.
Transportuesit më 24 korrik i janë drejtuar me shkrim Komunës së Strugës dhe kryetarit Qyra, duke vendosur afat prej 15 ditësh për zgjidhjen e problemit. Sipas vlerësimeve, janë të prekur rreth 30 mijë banorë. Nëse nuk gjendet zgjidhje, kjo do të ndikojë më së shumti në transportin e nxënësve, të cilët nga 1 shtatori duhet të rikthehen në bankat shkollore./Alsat.mk.








