Marta Kos prezantoi planin e ri për zgjerim gradual
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Rikthehen përplasjet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë rreth historisë. Ditë më parë presidentja bullgare Ilijana Jotova, theksoi se nuk ka nevojë për ndarje mes dy popujve pasi siç tha, historia e dy vendeve është e përbashkët. Jotova u bëri të ditur bullgarëve në Maqedoninë e Veriut se do t’i mbrojnë të drejtat e tyre ndërsa u bëri thirrje që të kundërshtojnë gjuhën e urrejtjes.
Për “historinë e përbashkët”, kryeministri Hristijan Mickoski u përgjigj se Maqedonia ka historinë e saj, trashëgiminë kulturore e cila siç thotë, është e vjetër me shekuj.
“Kjo Qeveri i mbron interesat e shtetit dhe qytetarëve. Nuk do të hyj në asnjë diskutim ditor me njerëz të cilët për fat të keq kanë ngecur në shekullin e kaluar me politikat e tyre. Qëllimi im është të shoh përpara, të shoh si ta zhvilloj shtetin dhe do të vazhdoj në këtë drejtim. Për ne dihet çfarë do të thotë historia e Maqedonisë, trashëgimia kulturore e cila është e vjetër me shekuj dhe këtu nuk ka asnjë dilemë”, tha Mickoski.
E derisa kontesti pengon rrugëtimin e Maqedonisë drejt BE-së, kjo e fundit ka paralajmëruar kushte të reja për zgjerim. Eurokomesarja Marta Kos prezantoi propozimin e KE-së për reforma në procesin për zgjerim, duke paralajmëruar plane për integrim gradual, kontroll më të rreptë të kandidatëve dhe metodologji të re. Sipas Kos, BE-ja po përballet me moment të ri nga Helsinki.
“Që të arrihet konsensus për pranimin e anëtareve të reja, BE-ja duhet të fokusohet në katër fusha kyçe: Reforma të brendshme, mekanizma më të forta demokratike, integrim gradual dhe masa paraprake. Nuk guxojmë të lëshojmë kuaj të Trojës, as sot, as për 10 apo 20 vite. Përvoja ka treguar se ndoshta nevojiten mekanizma më të forta mbrojtëse që të parandalohen, e nëse ka nevojë dhe të korrigjohen shkeljet e principeve themelore dhe vlerat e Unionit tonë”, është shprehur Marta Kos, eurokomisionere.
Brukseli dëshiron gjithashtu garanci më të forta kundër kthimit pas në demokraci dhe sundimin e ligjit pasi një shtet të bëhet anëtar. Kos tha se disa ndryshime mund të bëhen pa ndryshuar traktatet e BE-së, duke shmangur negociatat e gjata dhe proceset e vështira të ratifikimit. Ajo propozoi vendimmarrje më fleksibile, më pak mundësi që një shtet i vetëm të bllokojë të gjithë Unionin dhe institucione potencialisht më të vogla. Mesazhi i Marta Kos është se BE-ja duhet të reformohet në mënyrë të që mund të zgjerohet. Në vend që vendet kandidate të presin me vite apo dekada për anëtarësim të plotë, Brukseli po shqyrton një model ku ato afrohen gradualisht me Unionin./Alsat.mk








