Kriza me çmimet e naftës / Mickoski paralajmëron se do të vazhdojë disa vite
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Konflikti mes SHBA-ve dhe Iranit vazhdon të ndikojë drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit. Harxhimet e qytetarëve për nevojat bazë vazhdimisht rriten ndërsa nga dita e djeshme, edhe derivatet tejkaluan numrin tre shifror të çmimeve. Një litër naftë tani shitet për 101,5 denarë. Për shkak kësaj, periudhën që vjen qytetarët ka mundësi të përballen me shtrenjtim të produkteve ushqimore bazë. Periudhë të vështirë paralajmëroi edhe vet kryeministri Mickoski. Sipas tij, çmimet e larta të derivateve ka mundësi të vazhdojnë një periudhë të gjatë, madje edhe me vite.
“Po planifikojmë. Kemi strategji të qartë, kemi plan të qartë. Sipas analizave tona, kjo gjendje do të zgjasë. Mund të zgjasë madje disa vite. Për këtë shkak me shumë vëmendje ndërmarrim hapat që të mos rrënojmë stabilitetin makro ekonomik të shtetit, e nga ana tjetër të sigurojmë derivate më të lira për qytetarët dhe industrinë në Maqedoni”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Para pak javësh Mickoski paralajmëroi mundësinë për ulje të TVSH-së për derivatet por për momentin nuk ka asgjë konkrete. Sot e përsëriti të njëjtën por u fokusua te ajo se Maqedonia ka çmime të derivateve më të lira në rajon.
“Ne si Qeveri sigurojmë jo vetëm për qytetarët e Maqedonisë por edhe të rajonit. Për rreth 50-60% është rritur volumi i benzinës dhe dizelit që shitet muajt e fundit dhe kemi arritur të ruajmë stabilitetin makro ekonomik të shtetit, inflacionin ta ulim në 2,3% në nivel vjetor në korrik, më e ulëta në rajon dhe 1,7% në tregëtinë me pakicë kështu që nëse e lëmë politikën anash, ja këto janë faktet dhe këto janë numrat”, shtoi Mickoski.
Sipas vlerësimeve të fundit të “Oxford Economics”, çmimet globale të ushqimeve sivjet mund të rriten për 12% ndërsa rritja të vazhdojë edhe në vitin 2027. Lufta në Ukrainë por edhe mos stabiliteti në Lindjen e Afërt, ndikojnë në prodhimin dhe transportin e lëndëve bujqësore, gjë që edhe më tej rritë presionin mbi çmimet. Kjo mund të ndikojë te mielli, buka, pastat, drithërat, pemët dhe perimet./Alsat.mk.








