Uashingtoni ashpërson presionin ndaj Teheranit, paralajmërime për tronditje në tregjet globale

Irani deklaron se është i përgatitur për një periudhë dyvjeçare përballjeje me sanksionet e reja amerikane, ndërsa Uashingtoni ka njoftuar një ofensivë të gjerë ekonomike kundër Teheranit dhe ka paralajmëruar edhe vendet që vazhdojnë të bashkëpunojnë financiarisht me regjimin iranian. Sekretari amerikan i Thesarit, e cilësoi fushatën e re si ofensivën e vetme më të madhe financiare të ndërmarrë ndonjëherë nga SHBA-ja dhe tha se Uashingtoni synon të ndërpresë lidhjet ekonomike të Iranit me pjesën tjetër të botës. Besent tha se Irani tashmë përballet me dy alternativa: “izolim të plotë global” ose rikthim drejt normalitetit dhe ekonomisë globale.

“Duam ta bëjmë të qartë se askush nuk është jashtë sanksioneve amerikane. Nëse dikush lehtëson transaksionet dhe është pjesë e ekosistemit që e shndërron naftën iraniane në para, të cilat përdoren për represion, do të jetë objektiv i sanksioneve. Ne mendojmë se mënyra më e mirë për t’u angazhuar me vendet e tjera është përmes diplomacisë së qetë, dhe ne po komunikojmë me çdo vend për t’u bërë të qarta pritshmëritë tona. Ne e dimë se kush janë ata dhe ata e dinë se kush janë. Prandaj, kur ‘çekani’ i masave të Thesarit amerikan të bjerë mbi ta, nuk do të kenë askënd tjetër për të fajësuar përveç vetes.” – Skott Besent, Sekretar amerikan i Thesarit.

Masat e reja prekin sektorët e aseteve digjitale, teknologjisë, arit, aviacionit dhe transportit detar. SHBA-ja ka vendosur gjithashtu sanksione ndaj rreth 60 subjekteve, individëve dhe anijeve. Bessent paralajmëroi se këto masa synojnë të bllokojnë burimet e të ardhurave të Gardës Revolucionare Islamike dhe regjimit iranian. Ai tha gjithashtu se presidenti amerikan Donald Trump do të kontaktojë liderë të vendeve të ndryshme për t’u kërkuar ndërprerjen e bashkëpunimit me Teheranin. Pekini ka reaguar ndaj masave të reja duke deklaruar se sanksionet dhe presioni ekonomik nuk janë mënyra për të zgjidhur konfliktet. Kina, e cila është destinacioni kryesor i naftës iraniane, ka bërë të ditur se do të ndërmarrë masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e saj. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button