Zjarrfikësit në mbarë vendin vazhdojnë betejën me zjarret

Gazetare: Ilirida Sulejmani

Beteja me zjarret në vend ende vazhdon. Sipas të dhënave të fundit nga Qendra për Menaxhim me Kriza, janë evidentuar 11 zjarre në hapësira të hapura, 6 prej tyre mbeten aktive, 1 është nën kontroll, ndërsa 4 janë shuar.

Zjarre aktive hasen përsëri në komunën e Studeniçanit dhe Zelenikovës, në drejtim të fshatrave Moranë, Vërtekicë, Gaber, Paligrad dhe Vërzhallë, ku po digjet pyll i përzier. Vatra aktive janë regjistruar edhe në Tërnovë të Gostivarit,mbi fshatin Nexhilovë në komunën e Çashkës, në Drenak të Probishtipit, Çiçevën e Poshtme të Gradskos dhe në Zajas të Kërçovës.
Ndërsa nën kontroll është vënë zjarri në zonën e fshatit Tajmishte, në zonën e Dardhës në komunë të Kërçovës, ku është përfshirë pyll ahu me trungje të larta.
Ekipet arritën të shuajnë 4 zjarre, përkatësisht në Çajlanë të Sarajit, Turçanë të Gostivarit, Pçinjë të Kumanovës dhe Mitrashincëntë Berovës.

Nga Enti Hidrometeorologjik, thonë se vazhdimisht e ndjekin motin me radarë dhe për çdo ndryshim të pritur, e njoftojnë Qendrën per Menaxhim me Kriza.

“Gjatë periudhës me mot të paqëndrueshëm ka energji të madhe në atmosferë, ka lagështi dhe nuk mund të dimë saktësisht se ku do të bjerë shi dhe sa do të bjerë, prandaj i aktivizojmë radarët. Do të thotë, është e nevojshme që edhe atmosfera të ngrohet, prandaj zakonisht radarët aktivizohen në orët e pasdites, ku atmosfera ngrohet. I aktivizojmë radarët dhe e ndjekim motin, në cilin drejtim lëviz, bëjmë një analizë nëse ka breshër, nëse ka shi, sa shi ka dhe në cilin drejtim po shkon, pastaj komunikojmë me Qendrën për Menaxhim me Kriza, që të ndihmojmë sa të mundemi me zjarret”, deklaroi Vilen Popovski, Enti Hidrometeorologjik.

Zjarret vazhdojnë të mbeten sfidë për autoritetet të cilat vazhdimisht janë në terren me të gjitha kapacitetet që kanë në dispozicion, ku përmes monitorimit meteorlogjik dhe koordinimit të institucioneve, synohet stabilitet sa më i shpejtë i kësaj situate./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button