Alarmet e rreme për bomba, MPB -ja nuk jep detaje

Mefail Ismaili

Ministria e Punëve të Brendshme nuk jep detaje të reja rreth hetimit lidhur me alarmet e rreme për vendosjen e mjeteve shpërthyese. Nga Policia madje nuk zbardhin asnjë detaj për denoncuesit e rremë dhe për arrestimin eventual të tyre. Të pyetur nëse kanë arrestuar autorin e denoncimit të mbrëmshëm në pikën e shitjes së Biletave në Teatrin Kombëtar, ose edhe të denoncimeve të tjera që ndodhën gjatë fundjavës, nga MPB mbeten në qëndrimin se po merren masa për konstatimin e denoncimit dhe sanksionimin e denoncuesit. Ndërsa eksperti i sigurisë, Lubomir Gjurçevski thotë se gjatë këtyre rasteve policia i ka kryer procedurat e domosdoshme, por ka pasur edhe lëshime në punën e saj.

“Të paktën gjatë kontrollit të denoncimeve të tilla të rremë për vendosjen e mjeteve shpërthyese, në vendin e ngjarjes, krahas nëpunësve të policisë të cilët e sigurojnë vendin patjetër të ketë automjete të ndihmës së shpejtë dhe automjete të brigadave të zjarrfikësve me qëllim që të veprohet për mbrojtje nga fatkeqësia eventuale”, tha Lubomir Gjurçevski, ekspert i Sigurisë.

Eksperti Gjurçevski, vlerëson se rastet me alarme të rreme për mjete shpërthyese ose sulme terroriste, bëhen pikërisht në periudha kur ka kriza politike. Ai nuk e përjashton mundësinë që qëllimi i denoncimeve të jetë i planifikuar me qëllim tërheqjen e vëmendjes.

“Ne jemi të vetëdijshëm se Maqedonia për momentin është në krizë politike, dëshirojmë ta pranojmë këtë ose jo, ne nuk kemi parlament efikas, pasi jemi në situatë ku e shihni se çfarë veprimesh ka nga partitë politike dhe nuk përjashtohet as dyshimi se dikush nga partitë politik me qëllim krijojnë kriza të këtilla, me qëllim që të fshihet vëmendja nga çështjet tjera, e nëse dëshironi po e them, që të tërhiqet vëmendja edhe nga tragjedia e fundit në Bullgari, e cila ishte tepër tragjike për Maqedoninë”, deklaroi Lubomir Gjurçevski, ekspert i Sigurisë.

Gjurçevski vlerëson se pasi ekipet anti terroriste kanë konstatuar se denoncimi është i rremë të gjithë procedurën duhet ta ndërmarrë Prokuroria publike dhe policia e kriminalistikës që të hetohet rasti dhe të identifikohen denoncuesit të cilët kanë shkaktuar tepër panik dhe frikë tek qytetarët. Gjatë fundjavës së kaluar e deri mbrëmë ka pasur disa raste kur policia ka vepruar ndaj denoncimeve për sulme me bombë. Për këtë arsye mbrëmë u evakuuan të punësuarit në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë, godinat e MPJ-së, Prokurorisë Themelore dhe u bllokuan disa rrugë në qendër të kryeqytetit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button