Aleati i Trumpit uron Bidenin për fitoren në zgjedhje

Një anëtar i lartë i Partisë Republikane të presidentit Donald Trump e uroi Joe Bidenin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, tha se ka shpresuar për një rezultat tjetër të zgjedhjeve të 3 nëntorit, porse “Kolegji Zgjedhor ka folur”.

“Sot, dua të uroj presidentin e zgjedhur, Joe Biden”.

“Të gjithë amerikanët duhen të ndjehen krenarë që vendi ynë ka zgjedhur edhe gruan e parë nënpresidente”, tha McConnell, duke uruar nënpresidenten e zgjedhur, Kamala Harris.

Kolegji Zgjedhor konfirmoi të hënën fitoren e Bidenit kundrejt Trumpit.

Trump vazhdon ta refuzojë rezultatin, duke bërë pretendime të pabazuara për mashtrim në zgjedhje.
McConnell është zyrtari më i lartë i Partisë Republikane që uroi Bidenin.

E pyetur nëse Trump e njeh Bidenin si president të zgjedhur, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, tha të martën se presidenti është ende i përfshirë në procese gjyqësore në lidhje me zgjedhjet.

Biden ka fituar zgjedhjet e nëntorit me 306 vota të Kolegjit Zgjedhor, duke e mundur presidentin aktual, Trump, i cili ka fituar 232.

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara do të inaugurohet më 20 janar.

LEXO EDHE:

Back to top button