Alsat dorëzoi iniciativë ndaj ministrit të Administratës Minçev, për mos respektimin e gjuhës shqipe

Alsat dorëzoi iniciativë ndaj ministrit të Administratës Minçev, për mos respektimin e gjuhës shqipe

Gazetar: Suad Bajrami

Drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi në intervistën për Alsat e quan të ngutshëm interpretimin kreativ të ministrit të Administratës Goran Minçev për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili tha se shqipja në komunikata do të përdoret sipas nevojës dhe me kërkesë. Sipas tij, ligji nuk është çështje dëshire, por obligimi.

“Do të thotë, kjo nuk është nëse do apo nuk do, mirëpo ligji e obligon që të gjitha kumtesat, shkresat, memorandumet të jenë në dy gjuhë. Në çdo komunikim. A e ka shkelur ligjin zotëri Minçev? Unë mendoj se është një deklaratë e ngutshme”, tha Arsim Idrizi, drejtor i Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve.

I pyetur nëse do të ngritin ndonjë iniciativë kundër Minçevit, Idrizi thotë se për të nisur ndonjë inspektim, patjetër duhet të ketë ndonjë paraqitje prej qytetarëve.

“Çfarë janë inspektimet e jashtëzakonshme? Këto vijnë nga iniciativat qytetare, domethënë duhet deri tek Inspektorati të na vijë nga individi, qytetari se në një x institucion apo nga një x funksionar, nuk zbatohet ligji dhe në afat prej 3 ditëve ne duhet të ndërmarrim masa për dërgimin e inspektorëve për ta konstatuar gjendjen faktike se sa dhe deri ku është procedura. Pa e bërë këtë hap, asnjë gjë unë nuk mundem me thënë se sa zbatohet, zbatohet ose nuk zbatohet”, u shpreh Arsim Idrizi, drejtor i Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve.

Sipas nenit 20 të Ligjit për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, mbikëqyrjet inspektuese mund të jenë të rregullta, të jashtëzakonshme dhe kontrolluese. Në procedurën gjatë kryerjes së mbikëqyrjes inspektuese, sipas Ligjit për Inspektoratin e Gjuhëve i zbaton dispozitat dhe parimet e Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese. Në këtë rast, neni 71 i Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese i jep të drejtën drejtorit që me detyrë zyrtare të kryejë mbikëqyrje të jashtëzakonshme. Kjo, nënkupton që ai ka mundësi të dërgojë inspektorë për kontroll në çdo institucion, pavarësisht nëse ka ose jo paraqitje prej qytetarëve.

Pavarësisht kësaj, Alsat dorëzoi fletëparaqitje, me të cilën denoncuam Ministrinë e Administratës Publike.

“Për mosrespektimin e gjuhës shqipe nga ana e ministrit të Administratës Publike, Goran Minçev, drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi mbrëmë në intervistën për Alsat tha se nuk mund të bëjë inspektim pa pasur ndonjë iniciativë, të cilën do ta dorëzojmë kundër Goran Minçevit për mosrespektim të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, raporton Suad Bajrami, gazetar.

Paraqitjen e arkivuan shërbimet e Inspektoratit, ndërkaq sipas ligjit, inspektorët duhet të bëjnë mbikëqyrje inspektuese të paparalajmëruar në Ministrinë e Administratës më së voni në afat prej 10 ditëve të punës nga pranimi i iniciativës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button