Ambasada amerikane në Prishtinë:  Pavarësia e Kosovës është fakt

Ambasada amerikane në Prishtinë:  Pavarësia e Kosovës është fakt

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se qëllimi i Shteteve të Bashkuara është që të mbështesë Kosovën që të bëhet pjesë e strukturave evropiane dhe euroatlantike, duke theksuar se “pavarësia e Kosovës është fakt”. Ky reagim në Tuiter vjen pas një lajmi se llogaria e Ambasadës amerikane në këtë rrjet social kishte “pëlqyer” një postim të një media serbe që fliste për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës, të pretenduara nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. “Llogaria zyrtare në Titer e Ambasadës amerikane nuk e ka ‘pëlqyer’ qëllimshëm asnjë postim në Tuiter në 24 orët e fundit. Siç e kemi thënë edhe më herët, kur ne duam të artikulojmë një qëndrim, ne e bëjmë përmes kanaleve zyrtare, deklaratave, e jo përmes ‘pëlqimeve’ në rrjetet sociale”, thuhet në sqarim. Ambasada shtoi se kundërshton në mënyrë kategorike “çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një konference për media më 4 janar, deklaroi se është duke pritur nga shteti i dhjetë, që sipas tij, të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ai nuk specifikoi se për cilin shtet bëhet fjalë. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës janë 106 shtete që deri më tani e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

LEXO EDHE:

Back to top button