Ambasada kosovare në Izrael mbetet në duart e Kurtit

Për rëndësinë e njohjes së Kosovës nga Izraeli dhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, është shprehur qartë Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kjo është shprehur edhe në letrën që ai ia ka dërguar kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar zëdhënësi i këtij subjekti politik, Përparim Kryeziu.

Deklaratat e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje vijën pas debatit të krijuar në opinionin vendor dhe ndërkombëtar, ku janë ngritur dyshimet nëse Kosova do të hapë Ambasadën e saj në Jerusalem, pasi që ky subjekt politik të formojë qeverinë e re të vendit, si fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të vendit është lideri i saj, Albin Kurti.

Në deklaratën e dhënë Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, ka thënë se lidhur me vendndodhjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael, Kurti ka qenë mjaft i qartë.

“Në lidhje vendndodhjen e Ambasadës, zoti Kurti ka qenë korrekt, konsistent dhe transparent në qëndrimet e tij, duke thënë se ajo është një çështje që do të trajtohet nga qeveria e re pasi të jetë konsultuar dokumentacioni i qeverisë në detyrë. Ky është një veprim i rëndësishëm para një vendimi të qeverisë së tij për këtë çështje. Si kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës, zoti Kurti është interesuar që të zgjerojë dhe thellojë bashkëpunimin me partnerët e vendit tonë”, ka thënë Kryeziu.

Hapja e Ambasadës në Jerusalem është e paraparë me marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Në dokumentin e nënshkruar nga Kosova, është paraparë njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërkaq, në rastin e Serbisë, është paraparë zhvendosja e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtual, kanë zyrtarizuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

LEXO EDHE:

Back to top button