Ambasadori Hill: Po bisedohet për një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, për të sqaruar disa gjëra
Ambasadori Hill: Po bisedohet për një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, për të sqaruar disa gjëra
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pjesë e dialogut nga viti 2013 dhe se do të dizajnohet ashtu si do të përcaktohet nga të dyja palët në negociata. Ai tha se po bisedohet për organizimin e një takimi të ri mes Vuçiqit dhe Kurtit së shpejti dhe shtoi se do të jetë një mundësi për të sqaruar disa gjëra.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pjesë e dialogut të Brukselit që nga viti 2013 dhe duhet të formohet në mënyrë që komuniteti serb, kryesisht në veri të Mitrovicës, të shohë se si do të jetë e ardhmja e tij. Mendoj se tani po shikojnë shumë modele që janë në përputhje me standardet evropiane”, tha Hill.
I pyetur se cili është afati për formimin e Asociacionit, nëse është periudha para apo pas zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri të Kosovës, Hill tha se “nuk mund të flas për afate kaq të shkurtra” dhe shtoi se i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar “foli për disa afate të gjata dhe se gjithçka mund të përfundojë deri në fund të vitit 2023”.
“Por mendoj se duhet të përpiqemi të ecim shpejt, të sigurojmë që të respektohen interesat e komunitetit serb në Kosovë”, tha diplomati amerikan.
Negociatat në Ohër më 18 mars, kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti arritën një marrëveshje gojore për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, Hill i vlerësoi si “shumë të suksesshme”.
“Mendoj se kanë bërë përparim. Do të doja të shihja disa gjëra më konkrete, por mendoj se po ecim shumë qartë drejt zbatimit të këtij procesi të dialogut. Duhet ende shumë për të bërë, veçanërisht në artikulimin se si do të duket Asociacioni, kjo është një çështje kyçe”, shtoi ai.