Ambasadorja Aggeler e zhgënjyer me paaftësinë e Gjykatës së Apelit

Ambasadorja Aggeler e zhgënjyer me paaftësinë e Gjykatës së Apelit

Gazetar: Adrian Kerimi

Ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Angela Price Aggeler i ka dërguar letër me përmbajtje shqetësuese Gjykatës së Apelit mbi veprimet e kësaj të fundit në rastet e rëndësishme gjyqësore dhe kthimin e tyre në shkallë të parë. Letrën të cilën e ka siguruar Alsat nga burime brenda Qeverisë i referohet datës 11 prill dhe në të theksohet shqetësimi dhe zhgënjimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për veprimet e Apelit ndaj rasteve gjyqësore, posaçërisht rikthimin e tyre nga fillimi si praktikë e krijuar gjyqësore.

“Çdo ditë e më shumë shqetësohem dhe zhgënjehem për numrin e madh të lëndëve (nga profilet e larta) që Gjykata e Apelit i ka kthyer në shkallën e parë për rigjykim. E kuptoj se mund të ketë disa arsye për përmbysjet (kthimin e lëndëve), por rritja e rasteve të rikthyera dhe drejtësia e vonuar në veprimet juridike duket se ka filluar të bëhet praktikë. Paaftësia e dukshme e gjykatave për t’i kaluar rastet në mënyrë të shpejtë përmes gjykimit, në Apel dhe kalimi i tyre para dhe mbrapa mes Apelit dhe Themelores po gërryen edhe më tej besimin edhe ashtu të ulët që opinioni ka tek gjykatat”, thuhet në letrën e Ambasadores Ageler drejtuar institucioneve gjyqësore dhe Qeverisë.

Në letrën, të cilën Ageler ia ka adresuar kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi, krerëve të gjykatave të Apelit dhe gjykatave Themelore thuhet se SHBA-të kanë investuar për 30 vite mbi gjysmë miliardë euro në sundimin e ligjit, por sipas saj rezultatet sa vijnë dhe tkurren.

“Për më shumë se 30 vite SHBA-të e kanë mbështetur Maqedoninë e Veriut në qëllimet e saj, përfshi sundimin e ligjit dhe qeverisjen efikase. Kemi shpenzuar mbi 560 milion dollarë për të ndihmuar në këto fusha, përfshi trajnime dhe programe për shumicën e prokurorëve dhe gjykatësve. Fatkeqësisht, kam frikën se rezultati i ulët i këtij investimi sa vjen e tkurret”, thuhet në letrën e Ambasadores Ageler drejtuar institucioneve gjyqësore dhe Qeverisë.

Letra ka shkuar edhe në adresë së Zëvendëskryeministres për Qeverisje të Mirë, Sllavica Gërkovska e cila duke komentuar përmbajtjen e saj tha se mban shpresë se thirrjet e tilla mund të ndikojnë në përmirësimin e sistemit gjyqësor.

“Porositë e hapura nga SHBA-të dhe BE-ja dhe partnerët e tjerë, përfundimisht do të ndikojnë në organet gjyqësore që ata të marrin vendime profesionale, të paanshme, pa ndikime nga jashtë dhe duke u bazuar vetëm në ligj. Qytetarët tanë meritojnë që e drejta të jetë e barabartë për të gjithë”, deklaroi Sllavica Gërkovska, Zëvendëskryeministre.

Letrës së Aggeler i parapriu raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit në të cilin gjithashtu theksohej zvarritja e qëllimshme e lëndëve gjyqësore në profilin e lartë duke potencuar edhe gjykatësit përkatës dhe veprimet e tyre. Në mënyrë jo të drejtpërdrejt raporti i DASH i referohej edhe veprimeve të gjykatësit Enver Bexheti, ish kandidat për gjykatës në Supreme i cili u diskualifikua falë vlerësimeve negative ndaj tij si pasojë e veprimeve që kishte ndërmarr në kthimin e lëndëve në shkallë të parë, me theks të veçantë veprat për të cilat ndiqej penalisht ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov. Një letër të ngjashme në vitin 2018 e kishte adresuar edhe ish ambasadori amerikan Jess Baily i cili kishte porositur gjykatësit që të mos arsyetohen në emrin e tij dhe të SHBA-ve kur të marrin vendime. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button