Angellov: Zjarret në gjithë territorin janë nën kontroll

Angellov: Zjarret në gjithë territorin janë nën kontroll

Gazetare: Ajnur Bafqari

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizat, Stojançe Angellov, u bën thirrje krerëve të komunave që gjatë një zjarri eventual të përdorin resurset lokale, më pas ato të komunave fqinje, dhe nëse edhe këto nuk janë të mjaftueshme, atëherë të kërkojnë ndihmë nga institucionet e tjera në nivel qendrore. Ai theksoi si vendi është i gatshëm të ballafaqohet me sukses nëse paraqitet një ose dy zjarre, por nëse paraqiten dhjetëra njëkohësisht atëherë mund të paraqitet problem.

“Ne për momentin në dispozicion kemi dy helikopterë të armatës, një të policisë dhe një avion të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, të ashtuquajtur airtracktor. Me gjitha këto resurse nëse kemi një ose disa zjarre vlerësoj se mund ti menaxhojmë me sukses. Problemi mund të paraqitet atëherë kur do të kemi dhjetëra e ndoshta edhe më shumë zjarre njëkohësisht, prandaj përsëri apeloj ndaj të gjithë krerëve të komunave ta marrin seriozisht punën dhe me paraqitjen e zjarrit, të goditet me të gjitha forcat dhe të mos lejohet të ndizet më shumë”, tha Stojançe Angellov, drejtor i QMK.

Angellov sqaroi se çështja e zjarreve do të jetë temë diskutimi edhe në kuadër të takimit “Open Balkan” në Tiranë, bashkë me homologët e tij nga Shqipëria dhe Serbia, ndërsa theksoi se në rast se paraqitet nevoja, për ballafaqim me zjarret, vendi mund të mbështetet edhe tek ndihmat e NATO-së dhe BE-së

“Në rast të paraqitjes së më shumë zjarreve njëkohësisht, neve na qëndrojnë në dispozicion mekanizmat e NATO-së dhe BE-së, shteti ynë tashmë është anëtare e NATO-së, negociojmë me BE-në dhe në këtë mënyrë, na qëndrojnë në dispozicion resurset e NATO-së dhe BE-së dhe nëse paraqitet nevoja gjithësesi se do të obligohemi të kërkojmë ndihmë prej tyre, por kjo është një prej arsyeve për çfarë tani po udhëtoj në Tiranë. Atje do të kemi një mbledhje punë, ku do të shkëmbejmë informacione, do të deklarojmë resurset që I kemi dhe në rast nevoje, normalisht fillimisht të kërkohet mbështetje dhe ndihmë nga fqinjët”, tha Stojançe Angellov, drejtor i QMK.

Sipas informacioneve të Qendrës për Menaxhim me krizat, vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti janë djegur 200 hektarë pyje, duke mos kalkuluar zjarrin e fundit në Gjavato të komunës së Bogdancit, për të cilën Akoma nuk ka informacione për hapësirën e përfshirë nga zjarri. Sipas të dhënave të Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare”dëmet nga zjarret që kapluan vendin vitin e kaluar arritën shifrën 38,6 milion euro, janë evidentuar 204 zjarre dhe është djegur hapësirë prej mbi 12 300 hektarë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button