“Anulimi” i regjistrimit, në seancën e parë

Propozim ligji i VMRO-DPMNE-së për shfuqizimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë, i cili është dorëzuar në procedurë urgjente, ende nuk dihet kur do të vendoset në seancë plenare. Siç mëson Alsat jo zyrtarisht, kryetari i Kuvendit i ka filluar procedurat parlamentare për propozim ligjin dhe ua ka shpërndarë atë deputetëve. Por pa përgjigje se kur do të vendoset në plenare.

Kundër regjistrimit, kanë vazhduar aktivitetet edhe i të ashtuquajturit Blloku kombëtar “Nuk e hap derën”, i udhëhequr nga Janko Baçev. Sot dorëzuan në Qeveri një dokument ku kërkojnë që kryeministri Zoran Zaev, bashkë me funksionarët e tjerë përgjegjës për Regjistrimin e popullsisë të nënshkruhen se mbajnë përgjegjësi morale dhe penale nëse 32 mijë personat që bëjnë regjistrimin do të infektojnë popullsinë me koronavirus. Baçev tha se do të përpiqen me çdo kusht të anulojnë regjistrimin ose ai të dështojë.

“…fillimisht dëshirojmë që ta anulojmë regjistrimin, në qoftë se nuk arrijmë ta anulojmë regjistrimin atëherë i bëjmë thirrje popullit në mënyrë masive të mos regjistrohen me qëllim që ta bëjmë regjistrimin të pasuksesshëm”, pohoi Janko Baçev.

Ndryshe, për momentin vazhdon regjistrimi online i qytetarëve që janë jashtë vendit. Nga Enti Shtetëror për Statistika njoftojnë se deri në ora 10 në mëngjes janë regjistruar mbi 25 mijë qytetarë. Regjistrimi i popullsisë, për qytetarët që ndodhen jashtë vendit filloi më një mars. Ndërsa për qytetarët në vend do të nisë më 1 prill dhe do të zgjasë deri më 21 prill.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button