Huaja prej 700 milion eurove, Besimi: Shlyejmë borxh dhe blejmë vaksina

Lëshimi i eurobondit të shtatë, në vlerë prej 700 milionë eurosh do të dedikohet për kthimin e borxheve të vjetra. 500 milion do të ndahen për kthimin e eurobondit të marrë në vitin 2014. Me 200 milionët e mbetur do të blihen vaksina, ilaçe dhe nevoja të tjera për menaxhimin e pandemisë. Por, krahas kësaj huaje, shteti do të ketë edhe hua të tjera si në vend ashtu edhe jashtë.

“Me këtë huamarrje të djeshme, me eurobondin, në bazën neto kemi 200 milionë, do të kemi huamarrje të tjera neto në letra me vlerë prej 300 milionë euro në tregun vendor, gjithashtu 80 milionë euro nga Komisioni Evropian të cilat i paralajmërova si dhe tërheqjen e huave për zbatimin e projekteve rreth 82 milionë euro”, tha Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Besimi siguron se këtë vit ekonomia do të rimëkëmbet, ndërsa tregues për këtë është fillimi i mirë i të ardhurave që hyjnë në buxhetin e shtetit nga tatimet. Megjithatë, Besimi paralajmëroi rritje edhe të borxhit shtetëror deri në fund të vitit.

“Projektimet e Ministrisë së financave tregojnë se borxhi shtetëror deri në mbarim të këtij viti do të jetë 53.2%, ndërsa borxhi publik 63.4%”, pohoi Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Eurobondi i tetë është me shkallën më të ulët të kamatës deri tani edhe atë prej 1.6% me afat pagese prej shtatë vjetëve. Deri më tani vendi ka kthyer tre eurobonde të marra në vitin 2005, 2009 dhe 2014. Vetëm për eurobonde Maqedonia nga viti 2008 do duhet të kthejë diku rreth 3 miliardë euro.

 

Andrea Çobanova

LEXO EDHE:

Back to top button