Zaev: Do të zgjerojmë shumicën, përgatisim politikë për Kuvend funksional

Kryeministri Zoran Zaev thotë se do të vazhdojë përpjekjet për zgjerimin e shumicës edhe pse numrat e votëbesimit treguan mbështetje prej saktësisht 62 deputetësh, sa ishin deri tani. Ai paralajmëron politika të reja për zhbllokimin e punës së Kuvendit dhe konsensus funksional.

Unë tregoj se sa është i keq bllokimi që ndodh në Kuvend. Si kryetar i Qeverisë nuk do ta toleroj këtë. Normalisht, me nderin që mora sa i takon besimit, mora edhe përgjegjësinë për zhbllokimin e Kuvendit, sigurisht, me bazë ligjore, nëpërmjet Rregullores, nëpërmjet debatit. Këto ditë do të prezantoj edhe politika të reja. LSDM-ja në mënyrë afatgjate mendon për politika të reja për të cilat do të flas në ditët dhe muajt e ardhshëm – tha Zoran Zaev, kryeministër.

Votëbesimi për Zaevin, sipas deputetit të BDI-së Arbër Ademi, dëshmoi se opozita nuk kishte të drejtë kur pretendonte për përçarje.

U konfirmua se opozita është e çorientuar, është e çorganizuar sepse për tre-katër muaj më radhë kemi dëgjuar se si nuk ka shumicë parlamentare, se si shumica parlamentare është në këmbë të qelqta, se si ata do të iniciojnë procedurë për mosbesim të Qeverisë dhe se si ata do të formonin shumicë të re parlamentare. Besoj se dje ishte një veprim i nevojshëm, e pse të mos të themi i domosdoshëm i kryeministrit – deklaroi Arbër Ademi, BDI.

Votimi i besimit pa debat, për VMRO-DPMNE-në është dëshmi për mosbesimin që ka Zaevi ndaj shumicës. Sipas Nikolla Micevskit, u vërtetua se Zaevi nuk ka mbështetjen e deputetëve të opozitës.

Zaevi vetëm tregoi se nuk ka besim te shumica e tij parlamentare dhe koalicioni i tij dhe ju desh t’i testonte, me këtë veprim dëshpërimi dhe paniku nga Zaevi i cili mendon se bleu 90 ditë qetësi. E porosisim Zaevin, se politikës së tij pa vlerë dhe populiste “blej një ditë më shumë”, ngadalë por sigurt i duket fundi. Me votimin e djeshëm ra në ujë edhe një gënjeshtër tjetër e Zaevit dhe njerëzve rreth tij që ai e ka edhe mbështetjen e disa deputetëve të opozitës dhe do të kalojnë në taborin e pushtetit – u shpreh Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Zaevi nuk do të marrë as mbështetjen e deputetëve të opozitës shqiptare, thonë nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Sipas Skender Rexhepit, po t’i jepej mundësi për debat, opozita do të shpaloste shumë argumente se pse Qeveria nuk e meriton besimin.

Qeveria nuk kishte guxim të përballet me argumentet e opozitës për të gjitha të bëmat e tyre gjashtëmujore. Gjithçka që do të ishte pjesë e marrëveshjes për koalicion të mundshëm do të bëhet publike, transparente, me dëshmi, me argumente dhe me program. Në të kundërtën, deputetët e koalicionit Aleanca dhe Alternativa nuk janë në shitje për asnjë lloj matematike tjetër – u shpreh Skender Rexhepi, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Zaev mori besimin e 62 deputetëve në votimin të cilin e iniciojë personalisht, sipas tij, për të konfirmuar se opozita nuk po formonte një shumicë të re.

Fatlume Dervishi

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button