“Arbëria Design”, fiton tenderin 100 mijë euro për organizimin e Marrëveshjes së Ohrit

“Arbëria Design”, fiton tenderin 100 mijë euro për organizimin e Marrëveshjes së Ohrit

Gazetar: Adnan Qaili

Kompania tetovare “Arbëria Design”, konkurrues i vetëm në tender fitoi sërish furnizimin publik për organizimin e përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit. Ministria e sistemit politik e udhëhequr nga Artan Grubi, ia besoi edhe një herë të njëjtës kompani për të lidhur dy kontrata me para publike, njëra parasheh që mund të shpenzojë deri në 70 mijë euro dhe kontrata e dytë, me të cilën mund të porosis shërbime deri në 30 mijë euro. Sipas ofertës, e cila është pjesë përbërëse e kontratës së dytë, “Arbëria Design” do t’i faturoj ministrisë së Grubit rreth 5 mijë euro për konceptin spektakolar të 22 vjetorit Marrëveshjes së Ohrit, i cili do të mbahet në Sheshin Skënderbej në Shkup më 13 Gusht.

Furnizimi Publik
“Kontrata e parë ka të bëjë me prenotimet e shërbimeve hotelierike, ketering ushqime dhe shërbime që kanë të bëjnë me pajisjet e organizimit të manifestimit. Marrëveshja e dytë, parashikon pika tjera që ofrojnë shërbime të përgjithshme logjistike dhe suport kreativ.”

Një shumë e ngjashme rreth 5 mijë euro është paraparë, siç thuhet në ofertë, për “një poezi të një poeti të njohur, një aranzhim muzikor dhe një regjistrim audio të një kënge” me rastin e përvjetorit. Për realizimin e videoklipit të këngës janë planifikuar rreth 4000 euro. Kontrata e publikuar në platformën për furnizime publike parasheh prodhimin e një videoje audio-vizuale për të arriturat e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën janë ndarë rreth 6,000 euro. Është planifikuar gjithashtu shtypja e materialeve promovuese dhe trajnuese për liderët e rinj, një festival multi etnik dhe ngjarje të tjera për periudhën gusht-shtator. Por, kur ka të bëjë me paratë publike të institucioneve që udhëheqin kuadro të BDI-së, kompania “Arbëria Design”, sipas portalit 360 gradë gjithnjë fiton tender, siç është rasti edhe në tenderin e Komisionit për Letrat me Vlerë, ku kryetare është Nora Aliti – ish-deputete e BDI-së, pastaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nënkryetari i BDI, Bujar Osmani, si dhe në Lotarinë Shtetërore, të kryesuar nga Përparim Bajrami, ish-shefi i kabinetit të Artan Grubit.

Furnizimi Publik
“Marrëveshja e Lotarisë Shtetërore me “Arbëria Design” është nënshkruar në fund të qershorit në vlerë rreth 290 mijë euro për një periudhë 12 mujore, dhe objekt i saj janë “shërbimet nga një agjenci marketingu për riemërtimin e markës së korporatës dhe fushata reklamuese”. Kompania nga Tetova ishte sërish e vetmja që ka paraqitur ofertë. Në maj, “Arbëria design” fitoi tenderin e Universitetit “Nënë Tereza” për shtypjen e materialeve për nevojat e institucionit të arsimit të lartë dhe kontrata kap vlerën e rreth 14 mijë eurove.”

Sipas 360 gradë, Ministria e Punëve të Jashtme e Bujar Osmanit, nga ana tjetër, ka lidhur marrëveshje me këtë kompani për dhënien me qira të pajisjeve teknike për evente mbështetëse dhe për prodhim audio-vizual dhe transmetim live, për një periudhë njëvjeçare, në vlerë të përgjithshme rreth 135.000 euro. Arbëria Design organizoi edhe festën e vitit të kaluar për përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit për një shumë totale të ngjashme me këtë vit. Kompania u bë e njohur për publikun si një nga furnizuesit më të mëdhenj të Ministrisë së Arsimit, mbi të gjitha në shtypjen e teksteve, certifikatave dhe materialeve të tjera shkollore, për të cilat ka marrë miliona kontrata në vitet e kaluara. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button