Arrestim pas dërgesës postare: Në paketat me CD fshihej drogë

Bazuar në një informacion zbulues doganor, Drejtoria e Doganave ka parandaluar një tentativë për trafik të paautorizuar të drogës, të cilën një shtetas i SHBA-së është përpjekur ta fusë ilegalisht në vend përmes dërgesave postare me DVD dhe CD, të ardhura nga Franca në Qendrën Doganore të Postës.

Pas mbërritjes së dërgesave në Qendrën Doganore të Postës, të destinuara për personin me inicialet J.E., zyrtarët doganorë kryen kontroll me skaner të dërgesave postare, ku u zbulua përmbajtje e dyshimtë. U thirr një ekip i lëvizshëm doganor dhe qeni doganor, të cilët ndërmorën veprimet përkatëse.

Pas testimit të përmbajtjes me pajisje speciale u konstatua se në katër dërgesat kishte lëndë narkotike, konkretisht: metamfetaminë me peshë 12.5 gramë, MDMA me peshë totale 20 gramë dhe kokainë me peshë 8 gramë.

Rasti i është dorëzuar për procedurë të mëtejshme Departamentit për Hetime, ku janë ndërmarrë veprime parahetimore. Me urdhër të prokurorit publik, hetuesit për zbatimin e ligjit, në momentin e dorëzimit të dërgesës, e kanë arrestuar personin J.E. dhe kanë kryer kontroll në shtëpinë ku ai jetonte së bashku me bashkëshorten.

Gjatë kontrollit janë gjetur edhe dy shishe qelqi me material bimor të gjelbër me erë të fortë, dy pipëza qelqi për pirjen e marihuanës dhe 33 ampula testosteron.

Droga e gjetur në dërgesat postare dhe në shtëpinë e personit është sekuestruar dhe është dërguar për ekspertizë, ndërsa ndaj personit do të ngrihet kallëzim penal pranë Prokurorisë Publike kompetente.

LEXO EDHE:

Back to top button