Pas një periudhe të gjatë me mot ekstrem të nxehtë, temperaturat pritet të ulen ndjeshëm

Gazetare: Ilirida Sulejmani

Pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta, kushtet atmosferike pritet të ndryshojnë në vendin tonë.
Sipas parashikimit meteorologjik, nesër pritet mot me vranësira të ndryshueshme, ndërsa në disa zona priten reshje të herëpashershme shiu.

Sinkron-Vilen Popovski, Enti hidrometeorologjik
“Në disa vende do të jetë i paqëndrueshëm, mot me reshje, me shi të rrëmbyeshëm. Vijon periudhë me mot me diell, me vranësira të pakta deri mesatare, ka rënie të temperaturave ditore. Të martën dhe të enjten ka kushte për reshje të herëpashershme shiu”, deklaroi Vilen Popovski, Enti hidrometeorologjik.

Moti do të jetë i paqëndrueshëm në disa rajone, me reshje të rrëmbyeshme, ku lokalisht mund të regjistrohen mbi 15 litra shi për metër katror. Parashikohet edhe erë e përforcuar, e cila në disa vende mund të arrijë shpejtësinë deri në 40 kilometra në orë. Gjithashtu gjatë pjesës së dytë të ditës, priten edhe bubullima të shoqëruara me erë më të fuqishme, ku pas kësaj periudhe të paqëndrueshme, moti pritet të stabilizohet, me periudha me diell dhe vranësira mesatare.

Ndërsa moti i keq ka përfshirë tashmë edhe Slloveninë dhe Kroacinë. Gjithashtu edhe në një pjesë të madhe të Italisë, stuhia e rrëmbyeshme shkaktoi përmbytje, rrëshqitje dheu madje dhe dy viktima. Moti i keq shkaktoi përmbytje në të gjithë vendin, në Valtellina, 45 persona u evakuuan, ndërsa në Toskanë u regjistruan më shumë se 63 mijë goditje rrufeje.

Ndryshimet e motit do të sjellin një freskim të ndjeshëm pas temperaturave të larta të cilat na shoqëruan për një periudhë të gjatë./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button