Arrestohet drejtori i Klinikës për Geriatri në Shkup, dyshohet për ryshfet
Arrestohet drejtori i Klinikës për Geriatri në Shkup, dyshohet për ryshfet

Drejtori i një institucioni shëndetësor është arrestuar nën dyshimin se ka marrë ryshfet për të akomoduar një pacient.
Sipas informacioneve fillestare, bëhet fjalë për drejtorin e spitalit të specializuar për mjekësi geriatrike dhe paliative në Shkup, M.A., i cili dyshohet se ka kërkuar dhe marrë ryshfet prej 20 mijë euro.
Prokuroria konfirmoi informacionin, por pa bë të ditur identitetin e personit në fjalë.
“Në një veprim të koordinuar nga Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe MPB janë ndaluar dy persona të dyshuar për veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe marrjes së shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm. Po ndërmerren veprime për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.
Rastin e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Ndërkohë ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë në lidhje me arrestimin e drejtorit të Klinikës për Geriatri dhe Mjekësi Paliative, i cili dyshohet se u kap duke marrë ryshfet.
“Ministria e Shëndetësisë angazhohet për një sqarim sa më të shpejtë të rastit nga ana e Prokurorisë Publike në lidhje me pretendimet për marrje ryshfeti nga një person në pozitë udhëheqëse në një institucion shëndetësor publik…Ministria e Shëndetësisë është në dispozicion nëse kërkohen çfarëdo lloj informacionesh në bazë të detyrës zyrtare. Prioriteti ynë mbetet ofrimi i kujdesit më të përshtatshëm për të gjithë pacientët në institucionet shëndetësore publike”, thonë nga MSH.
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, partia e të cilit e ka propozuar për drejtor të arrestuarin, thonë se kush do që e ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi.
“Aleanca për Shqiptarët mbetet fuqishëm e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe në reformimin rrënjësor të sistemit shtetëror, me qëllim që të gjitha dukuritë devijante të minimizohen. Populli shqiptar nuk meriton të përfaqësohet nga persona që eventualisht përpiqen të pasurohen në mënyrë të paligjshme mbi vuajtjet shëndetësore të qytetarëve. Kjo është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet që ne përfaqësojmë. Organet partiake të Aleancës për Shqiptarët do të ndërmarrin të gjitha hapat statutare të nevojshme për ruajtjen e imazhit dhe integritetit të partisë”, thonë nga ASH.